E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi kënaqësitë dhe vegjetimin

Kaosi dhe varfëria e komunitetit artistik pas 1991, ndërhyrjet shpesh të vrazhda dhe injorante të politikës në teatër, më shumë na kanë dhënë shkëlqime tek-tuk dhe dështime të shumta sesa ushqim të vazhdueshëm të një tradite të brishtë
Në vazhdim të debatit për teatrin


Shumë të vjetra janë diskutimet lidhur me funksionin e teatrit. E dimë që kjo gjini e artit dhe komunikimit doli prej ritualesh të kulteve të ndryshme, prej njëfarë komunikimi me Zotat, për të dëfryer njerëzit në kohën e tyre të lirë.


Më pas iu veshën funksione të ndryshme, si ai i pastrimit shpirtëror (katharsisit), i ngritjes morale duke admiruar virtytin e duke urryer vesin, i edukimit familjar e shoqëror, i edukimit politik, i debatit qytetar, filozofik etj. Në 45 vitet para 1990-s në Shqipërinë komuniste natyrisht që teatri u mbajt si një vatër e rëndësishme e edukimit shoqëror-politik. Ky funksion apo kjo detyrë nuk është hequr as sot e kësaj dite nga mendjet e një numri regjisorësh dhe administratorësh të teatrit tonë që duan ta përdorin skenën në radhë të parë si tribunë politike.


Po të flasim bashkë me Brehtin dhe një nga veprat e tij më të shquara në fushën estetike, "Organon i vogël i teatrit" (1948) funksioni kryesor i teatrit mbetet ai që ka qenë qysh në krye të herës: zbavitja. "Thelbi i teatrit është që ai krijon shëmbëlltyra ngjarjesh mes njerëzish, (pa përjashtuar këtu edhe ngjarjet mes njerëzve dhe Zotave) të trashëguara ose të shpikura, për qëllim zbavitjeje" (Shkrime për teatrin, Vepra e plotë, 16, Frankfurt m.M. 1967, f. 661-708).


Sigurisht që ky funksion themelor mund të zgjerohet, vazhdon Brehti, sikurse duan të bëjnë ata që e kthejnë teatrin në "një treg morali... vetëm se mund të ndodhë shpejt që shfaqja të bjerë përtokë, në qoftë se moralja nuk jep kënaqësi, kënaqësi në radhë të parë për shqisat, çka morales veç përfitim i sjell".


Edhe katharsisi i Aristotelit, ai pastrim shpirtëror që arrihet përmes frikës dhe dhimbsurisë, "është një larje që jo vetëm duhet bërë në rrugë kënaqësie, por që duhet të zhvillohet e tëra për hir të kënaqësisë". Natyrisht që ka pastaj kënaqësi të dobëta dhe kënaqësi të forta. "Mjeshtrat e mëdhenj na japin kënaqësinë e madhe sikurse e arrin marrëdhënia seksuale te dashuria; ajo është e degëzuar, e pasur me përçime, kundërthënëse dhe plot pasoja."


Atëherë mos del që teatri është i domosdoshëm për jetën? Jo, thotë Brehti, teatri bën pjesë në gjërat e tepërta, "por të mos harrojmë që për këto gjëra të tepërta jetojmë. Vetëm kënaqësitë nuk kanë nevojë t'i marrësh në mbrojtje."


Pra, teatri nuk është i domosdoshëm siç janë marrëdhëniet seksuale, por duhet për një kulturë sikurse dashuria, nëse na lejohet të shtojmë.
Ky diskutim duket se është bërë përsëri aktual, sidomos për vende si Shqipëria që nuk kanë ndonjë traditë të gjatë e të shquar teatri, pra ku kjo gjini nuk është e vetëkuptueshme për qytetarët.


Nga ideologjizimi i skajshëm pas vitit 1991 u ra në boshllëk dhe në monopolizim të jetës teatrore nga grupime të vogla njerëzish, në mënyrë të ngjashme sikurse te kinematografia shqiptare, me ndryshimin që filmi shqiptar deri në atë vit kishte arritur një masivizim të vërtetë kurse teatri jo dhe me ndryshimin e sotëm që filmi shqiptar as pas njëzet vjetësh nuk po del dot nga gjendja e nokautit kurse teatri malgré tout vazhdon të jetojë për arsyen e thjeshtë se kushton më pak në të organizuar.


Por diskutimi shkon më gjerë sesa janë kufijtë e Shqipërisë në këtë kohë që jetojmë: sa është në gjendje teatri sot të fitojë nga koha e lirë e njeriut përballë konkurrencës vizive e auditive të mediave si interneti e televizioni?


Për fat të mirë, d.m.th. për fatin e mirë të gjithë dashamirëve dhe dashuruesve të kësaj gjinie, ajo nuk është e rrezikuar në ekzistencën e saj sepse kontakti fizik, shqisor i spektatorit me atë që ndodh në skenë, madje dhe fare pranë tij nuk mund të zëvendësohet, dhe s'ka pse të zëvendësohet me surrogato të ndryshme elektronike. Kënaqësia që jep teatri i bukur është e patjetërsueshme.


Njeriut modern mund t'i jetë pakësuar së tepërmi koha "e lirë" nga sulmi i gjithanshëm i informacionit, nga llojet e ndryshme të zbavitjeve elektronike dhe shumë teatro të botës janë vërtet në krizë, por kjo prapë s'ndryshon gjë tek ajo çka pret njeriu kur hyn në portat e një teatri.


Diskutimi është teorik për Shqipërinë, pasi këtu rreziku i kolapsit të plotë të teatrit është përherë i pranishëm. Sikurse e cekëm, nuk ekziston një traditë e vijueshme e publikut që ka nevojë për teatrin.


Mund të ishte formësuar një e tillë sidomos prej viteve 50 e 60, me plejadën e shkëlqyer të aktorëve dhe regjisorëve që u zhvillua në atë kohë por goditja e rëndë që iu dha në përgjithësi kulturës në fund të viteve 60 dhe fillim të viteve 70 nga Enver Hoxha dhe regjimi i tij sollën deformimin e funksionit thelbësor të teatrit, atij të kënaqësisë, dhe një si gërdi të qytetarëve ndaj skenës, kurse kaosi dhe varfëria e komunitetit artistik pas 1991, ndërhyrjet shpesh të vrazhda dhe injorante të politikës në teatër, më shumë na kanë dhënë shkëlqime tek-tuk dhe dështime të shumta sesa ushqim të vazhdueshëm të një tradite të brishtë.


I kam lexuar me shumë vëmendje mendimet që kanë dhënë njerëz të brendshëm të teatrit, kolegë të shquar me disa punë, gjithë këto kohët e fundit në faqet e "Shekullit".


S'kam si t'u shtoj e t'u heq asgjë nga konstatimet, pasi pjesa dërrmuese e atyre që thonë janë të sakta dhe ata i njohin më mirë problemet e brendshme ngaqë u dhembin në punën e tyre të përditshme.


Megjithatë një vështrim në distancë më tregon se mënyra si është ngritur jeta kulturore te ne, raportet e ngurtësuara të krijuesit me shoqërinë dhe publikun, të vendimmarrësve me krijuesit, vuajnë në përgjithësi nga sëmundja, thjesht janë të sëmura, dhe sëmundja natyrisht që ka përfshirë edhe jetën teatrore. Simptoma e saj kryesore është qëndrimi (i pashprehur hapur): mund të bëjmë edhe pa kulturë.


Të gjithë flasin për GDP, për papunësi, për vjedhje votash, për heqje vizash dhe integrim euro-atlantik, askush nuk flet për mjerimin e kulturës në këtë vend, për shembull që shoqëria shqiptare nuk ka asnjë mekanizëm për të mbajtur shkrimtarë të mirë, që mungojnë krejt leximet publike, që vendi po i eksporton të gjitha talentet në muzikë dhe artet vizive, ose që qyteti i Shkodrës, djepi i teatrit në Shqipëri, nuk ka më teatër, që përtej Tiranës nuk ka kinema, që shumica e qytetarëve nuk janë të gatshëm të paguajnë për një shfaqje dhe që Perëndimi po na zbret gjithmonë e më shumë shfaqje gratis në sallat tona, si për të na edukuar më tej në parazitizmin tonë kulturor. Shkurt fjala, kultura shpesh të duket në gjendje moribonde, disa gjini po zhduken fare, të tjera mbahen me një minimum të domosdoshëm oksigjeni, sa për të mos vdekur.


Kështu mbahet filmi shqiptar me QKK, po kështu mbahet edhe Teatri, me një Teatër Kombëtar të konceptuar si bunker ose iriq që mbrohet nga ndikimet e jashtme. Shteti bën alibinë e mbajtjes së kulturës, duke prerë çdo vit një minimum buke për Teatrin, një për Operën, një për Kinematografinë e kështu me radhë.


Por edhe ne shpesh bëjmë alibinë tonë duke fajësuar shtetin për gjendjen e jetës sonë kulturore. Kjo lloj alibie, kjo qeveri-sharje e përjetshme, mu si babai pijanec i Hakëlberri Finit, është gjithaq shprehje dembelizmi dhe parazitizmi, edhe pse me dukje elitare, ngaqë i ndihmon ruajtjes së statu-quosë, përderisa shteti, kryeministri dhe ministrat e tij, janë bërë ndërkaq krejt të pandjeshëm ndaj pickimeve prej medias.


Shteti është në fund të fundit pasqyrë e shoqërisë: për sa kohë komunitetet qytetare, artistike, sindikatat, bashkësitë e ndryshme të interesit nuk do të ushtrojnë trusninë e duhur mbi vendimmarrësit, në mënyrë që këta të japin shumë më tepër për kulturën, e sidomos të demokratizojnë mënyrën e shpërndarjes së të mirave materiale në këtë fushë, asgjë nuk do të ndryshojë.


Sigurisht edhe media do ta bëjë punën e saj, gjithë presionin e nevojshëm, duke folur sa më konkretisht. Bie fjala, propozimi i fundit i kryeministrit për të ngritur një Teatër Komedie është faqeza ide absurde dhe gazmore, sidomos kur shohim nga shenjat se ai do që ta ngrejë pa bërë shpenzime të mëdha, pa ndërtuar ndonjë godinë të re.


Modeli i Teatrit Kombëtar është një model që s'duhet përsëritur, sepse maksimumi që mund të arrihet ai është, krijimi i një trupe permanente ku aktorët komikë marrin rregullisht rroga dhe dalin në skenë e shumta me një shfaqje në vit.


Pastaj kush e ndan dot komedinë dhe humorin kaq preras nga drama dhe serioziteti? Se i bije që Hamleti me Makbethin të shfaqeshin nga trupa Xhepa-Xhuvani-Asqeriu etj. kurse Tregtari i Venedikut ose Nata e dymbëdhjetë nga trupa Vangjeli-Sallaku-Devole e ku di unë. Po Vizita e zonjës plakë po Fizikanët e Dyrrenmatit çfarë janë, ku do shfaqeshin, te serioziteti apo te komedia?


Jam pra në një mendje me parafolësit që e quajtën Teatrin e Komedisë shaka apo gallatë të radhës nga kryeministri ynë. Po të kishte ai dhe qeveria e tij vullnetin e mirë për të ndihmuar në ngritjen e teatrit shqiptar, le të përfundojnë teatrin legjendar te Piramida ose le të çelin një Teatër të Rinjsh.


Ky po që do të ndihmonte krijuesit e rinj në këtë fushë, të cilët nuk dinë ku të përplasen, përveçse te Iriqi Kombëtar i cili çdo herë që ndjen konkurrencë ose prishje të statu-quosë, ngre gjembat. Një teatër që të krijojë një pol tjetër, ku të eksperimentohet, ku të shohim më në fund diçka nga jeta jonë, nga plagët a nga gëzimet që provojmë, të trajtuara me gjuhën e mençur të skenës.


Ëndërr dhe kjo, kuptohet. Përgjersa vendimet për teatrin janë, dhe ato, në dorën e një kryeministri që e di veten të përjetshëm dhe ministrash kulture që ndërrohen çdo vit, gjendja nuk është mirë.


Rinia nuk e njeh dhe nuk e do teatrin, në shkollat tona nuk ka grupe amatore, maksimumi i lojës që ndjekin shqiptarët janë emisionet e Portokallisë dhe seancat e Big Brother, plus lojën brenda dhe jashtë Parlamentit. Po të vazhdonim metaforën e Brehtit ajo çka kërkojnë dhe marrin spektatorët sot është një skemë kopulimi por jo shëmbëlltyra e dashurisë.
Megjithatë shenjat nuk janë krejt pa shpresë.


Vazhdimisht ka të rinj që i hyjnë me pasion rrugës së teatrit dhe, ngaqë gjuha e tij te ne është doemos shqipja, nuk e braktisin vendin. Në Tiranë është krijuar një Teatër Metropoli që dhe pse me struktura modeste, tregon që, i mbështetur nga një rang tjetër administrimi siç janë Bashkitë, mund të krijohet një pol i pavarur dhe i respektueshëm.


Por për një ngritje të përgjithshme të teatrit duhet ngritje e përgjithshme e jetës kulturore te ne, ajo duhet të zërë një vend shumë më të lartë në shoqërinë shqiptare, sikurse duhet të zërë mbrojtja e mjedisit, sikurse duhet të zërë mbrojtja e vlerave të trashëguara që s'kthehen më.


Vetëm kur të ndryshojnë këto pozicione në kokat e njerëzve, ata do të fillojnë të paguajnë për shfaqje dhe për art, ata do t'u kërkojnë fëmijëve të tyre dhe drejtorive të shkollave të ngrenë grupe teatrore, do t'u kërkojnë administratorëve të pasurisë së përbashkët të ndajnë shumë më tepër për kulturën, do ta kuptojnë tek e fundit se pa kulturë, ku hyn dhe ajo zbavitje e tepërt që quhet teatër, jeta e njeriut është veç vegjetim.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›