Listat fiktive me fëmijë të sëmurë, nisin hetimet

DENONCIMI/ DAR takim urgjent pas denoncimit public në gazetën "Shekulli" nga njëri prej prindërve të fëmijëve
GJIROKASTËR- Nisin hetimet pas denoncimit publik të një prindi në gazetën "Shekulli" dy ditë më parë për ekzistencën e listave fiktive të fëmijëve me nevoja të veçanta në Gjirokastër.
Drejtuesit e arsimit deklarojnë se pas shqyrtimit të dokumentacionit është mosvënia në dijeni e prindërve dhe se brenda javës së ardhshme do të ketë masa konkrete për personat përgjegjës. Ndërkaq, pas marrjes së kallëzimit nga prindi i një 6- vjeçari kanë nisur hetimet, të përqendruara kryesisht në kopshtin "Cicërimat".
DAR
Paraditen e së dielës drejtues të Drejtorisë Arsimore kanë zhvilluar një mbledhje urgjente, me objekt shqyrtimin e dokumentacionit që disponohet në lidhje me një projekt të organizatës "Save the children" në bashkëpunim me këtë institucion e që në fokus ka pasur hartimin e programeve të posaçme mësimore për fëmijët me nevoja të veçanta.
Pas mbledhjes, e cila ka zgjatur për më shumë se dy orë, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Gjirokastër, Arjan Pano, ka deklaruar se e vetmja parregullsi e konstatuar është mosvënia në dijeni e prindërve për ekzaminimin që i është bërë fëmijës dhe se brenda javës së ardhshme do të ketë masa konkrete për personat përgjegjës.
Kreu i arsimit është shprehur se është vënë në dijeni për këtë çështje fillimisht nga drejtoresha e kopshtit "Cicërimat", Tefta Zhulla. "Pasi drejtoresha e kopshtit më tregoi rreth akuzave në drejtim të saj nga prindi i fëmijës, e kam marrë në telefon prindin dhe i kam kërkuar të vijë në drejtori dhe ai nuk është paraqitur.
Sipas edukatoreve dhe drejtoreshës, fëmija nuk ka probleme edhe është mjaft i shëndetshëm dhe për të nuk kishte një plan individual, që zakonisht përdoret për fëmijët me probleme. Nga informacionet që mora, rezultoi se prindi nuk ishte njoftuar për ekzaminimin dhe ky është një gabim shumë i madh, pasi prindi ka të drejtën ekskluzive për fëmijën.
Fëmija është ekzaminuar nga një zonjë e ardhur nga fondacioni "Save the children", Ëngjëllushe Kuzumi, pediatre e zhvillimit. Rezulton që fëmija është intervistuar në moshën 4 vjeç e dy muaj, ka dalë një fëmijë plotësisht i shëndetshëm. Ky ishte një projekt për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta, për të cilët bëheshin programe individuale", ka pohuar Pano. Ndërkaq, kreu i arsimit ka mohuar që të ketë pasur pagesa për këtë projekt. "Absolutisht jo.
Ekziston dokumentacioni i plotë, që është kërkuar nga ministria, gjithçka është e hapur. Për personat që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, do të merren masa të padiskutueshme", është shprehur më tej Pano. Ndërkaq, të njëjtat burime kanë pohuar se të dhënat për fëmijët e përfshirë në këto programe janë tërësisht konfidenciale, ato duhet të njihen vetëm prej prindërve dhe personave që punojnë me ta.
Kallëzimi
Ndërkaq, në kallëzimin penal të datës 15 prill, prindi, njëkohësisht pedagog në universitetin "Eqrem Çabej", shkrimtar e publicist, Virion Graçi, ndërmjet të tjerash thuhet: "Unë dua të kallëzoj se drejtoresha e kopshtit "Cicërimat", Tefta Zhulla, ka shpërdoruar detyrën për përfitime materiale në funksion të saj në bashkëpunim me personin Anila Caca, me detyrën e psikologes në dispozicion të DAR dhe me z. Vasil Muka, me detyrën e drejtorit të DAR.
Më konkretisht, djali im ka gëzuar dhe gëzon shëndet të plotë mendor, psikik dhe emocional; si i tillë im bir është përshkruar edhe nga takimet e përditshme me edukatoret e tij dhe me vetë drejtoreshën. Përkundër këtij realiteti, kjo zonjë në fshehtësi të plotë ndaj prindërve të fëmijës e ka përfshirë djalin tim në programin me përfitim ekonomik për fëmijët me të meta mendore në bashkëpunim me personat që kam përmendur më lart.
Nga ana e këtyre personave, djali im është regjistruar në projektin përfitues për fëmijët me të meta mendore pranë shoqatës "Save the children", ku unë si prind i tij nuk kam marrë ndonjë përfitim dhe më është fshehur çdo informacion në lidhje me këto që unë pretendoj.
Nga thëniet e edukatoreve të tjera të këtij kopshti, kam mësuar se djali im dhe disa fëmijë të tjerë rreth 2 vjet më parë për habinë e edukatorëve dhe në fshehtësinë e prindërve janë marrë me makinë private pa ditur drejtimin dhe qëllimin e kësaj lëvizjeje", thuhet në kallëzimin e depozituar në Prokurori.
Policia
Ndërkaq, policia e Gjirokastrës ka nisur hetimet pas kallëzimit të prindit Virion Graçi për të zbuluar ekzistencën e listave fiktive për fëmijët me nevoja të veçanta. Burime nga Komisariati i Policisë së Gjirokastrës, kanë bërë të ditur se hetimi është përqendruar në kopshtin publik "Cicërimat", por nuk përjashtuan mundësinë që falsifikimi i të dhënave shëndetësore të mos ketë ndodhur edhe në 5 kopshtet e tjera në këtë qytet.