Mbi kulturën e negocimit politik
Në hapësirën e debatit aktual të shoqërisë sonë janë hedhur një sërë çështjesh të rëndësishme për t’u diskutuar. Dhe në fakt, kjo është një gjë e dobishme që i shërben stabilitetit dhe ecurisë pozitive të vendit. Por, krahas çështjeve praktike, shtrohen edhe disa çështje me natyrë parimore, të cilat edhe ato nuk janë aspak teorike të mirëfillta, kanë edhe natyrë morale dhe ndikojnë në ecurinë dhe në tablonë politike të vendit.
Është fjala për atë se nga udhëhiqen politika e ditës, veprimi politik, debati politik, praktikat politike, argumenti politik?
Udhëhiqen nga pasioni politik që buron thjesht nga interesi dhe objektivi politik për t’u arritur, apo buron nga logjika e mirëfilltë politike dhe juridike pa të cilën nuk ka as shtet ligjor dhe as regjim demokratik?
Apo nga të dyja nga pak?
Të vijmë te disa raste konkrete të përditshmërisë sonë politike.
Edhe nga mediat, por edhe nga disa shenja që duken që tutje në sjelljet e aktorëve kryesorë politikë ka një prirje për të shkuar drejt një tryeze bisedimesh midis partive politike kryesore dhe për t’i gjetur një zgjidhje asaj që quhet krizë politike (sipas meje, nuk ka krizë politike), e lidhur me kërkesën e opozitës për të hapur kutitë dhe për të matur edhe një herë në mënyrë ad hoc rezultatin e zgjedhjeve të gjashtë muajve më parë dhe me refuzimin e shumicës për ta bërë këtë gjë.
Politikanë dhe gazetarë të ndryshëm tani po flasin për domosdonë e një kompromisi politik. Dhe duhet rënë në negocime për ta zgjidhur çështjen. Nuk është puna thjesht te funksionimi i shtetit, se sikurse duket, Shqipëria bëka edhe me një Kuvend pa pjesëmarrjen e opozitës. Siç duket mekanizmat e ekuilibrimit të pushtetit qenkan përtej opozitës parlamentare, qenkan edhe te shtypi, te gjykatat, tek opinioni publik, sidomos te faktori i jashtëm ndërkombëtar. Mungesa e opozitës në Kuvend nuk qenka e barabartë me një diktaturë, sa kohë që deputetët atje janë me prirje demokratike.
Sidoqoftë shumë më mirë me opozitë parlamentare sesa pa të. Pa të kjo çështje nuk mund të vazhdojë shumë gjatë. Por, si duket edhe opozita nuk mund të qëndrojë shumë gjatë jashtë Parlamentit, sepse rrezikon që më shumë të humbasë sesa të fitojë.
Puna është se kjo çështja e gjetjes së një kompromisi dhe e uljes në tavolinën e bisedimeve po trajtohet me pasionin për të gjetur një zgjidhje. Çështja shihet si një modus operandi, domethënë sipas parimit “Hajde të gjejmë një zgjidhje tani, se nuk ka më lezet!”
Gjithmonë i kam përkrahur marrëveshjet mes partive politike kur ato kanë një kuptim pozitiv. Bile e kam marrë këtë pozicion edhe kundër individëve, që në parim kanë alergji ndaj çdo uljeje në tavolinë të liderëve që para ca kohe çfarë nuk kanë deklaruar kundër njeri tjetrit. Bile në një shkrim të akuzuar me lloj–lloj epitetesh, kohë më parë, kam thënë se debati politik i tensionuar dhe me agresivitet verbal nga ana e politikanëve, i disa kohëve më parë, ishte shenja më e qartë se palët ishin duke i ikur kohës së mitingjeve, ballafaqimeve në rrugë, dhe nëpërmjet “sharjeve” po harxhonin energjitë e fundit politike agresive për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje kompromisi.
Prapa agresivitetit verbal të atyre ditëve shihja zbutjen e klimës politike, kurse disa të tjerë shihnin riprodhimin e dhunës fizike! Nejse, ata nuk dinë ta analizojnë nëpërmjet psikanalizës politike ligjërimin publik në Shqipëri edhe sepse një pjesë e tyre duke u ndodhur jashtë vendit, larg ose shumë larg tij, e marrin ligjërimin verbal si realitet fizik, meqë nga realiteti fizik i politikës janë ndarë prej kohësh.
Mirë se pasioni politik tani po kërkon bisedime, po logjika politike a nuk ka të drejtë të pyesë:
Por, si erdhi kjo situatë?
A kishte kuptim që klasa politike ta linte gjashtë muaj këtë çështje zvarrë dhe vetëm pasi në hapësirat ndërkombëtare të përvijohej çështja e stabilitetit politik, pasioni politik të kujtohej për t’u shuar?
Sepse ka edhe një logjikë politike, e cila kur funksionon nuk ka përse të prodhojë situata negative, të cilat, në fund fare atëherë kur peri rrezikon të këputet, se skadojnë edhe mandatet e deputetëve, bëjnë që udha e zgjidhjes të shfaqet qartë. Negocim!
Çfarë kërkon logjika politike që duhej mbajtur parasysh edhe gjashtë muaj përpara?
Nuk mund të bëhen kërkesa politike që bien në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi. Nëse hapjen e kutive nuk e parashikon ligja, atëherë ato askush nuk do të pranonte t’i hapte ose do t’i hapte vetëm formalisht. Denoncimi i të metave në zgjedhje duhej ndërmarrë para shpalljes së rezultatit dhe kjo duhej shoqëruar me reagime të komisionerëve socialistë dhe jo pasi edhe trupi i gjyqësorit, e më pas Presidenti i Republikës, i certifikuan ato.
Nëse kjo logjikë politike dhe juridike do të kishte funksionuar vendi nuk do të lodhej me mitingje të kota që brenda një kohe të shkurtër shterojnë. Shoqëria e komunikimit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe një shoqëri mitingjesh. Vetëm ata që kanë sytë e errur nga pasioni politik, si këshilltarë që hiqen, nuk iu a thonë këtë liderëve politikë, por i shtyjnë në beteja shteruese.
Pra, dakord me negocimin, dakord me prirjen për t’u marrë vesh për një zgjidhje, por si qëndron puna me logjikën politike?
A ishte kodi elektoral një kuadër normativ që të sillte besueshmëri?
A reaguan partitë politike gjatë zgjedhjeve në mënyrë racionale?
A ishte racionale që në rrugë mitingjesh të kërkohej hapja e kutive?
Duket qartë sot e gjithë ditën që ishte një rrugë pa krye.
Pasioni një ditë vjen tek arsyeja, puna është se duke ndjekur vijën e logjikës politike dhe juridike nuk humbet kohë dhe pa fund energji. Shqipëria ka nevojë të përballojë çështje shumë të rëndësishme lidhur me perspektivat e saja ekonomike dhe sociale, kurse te ne debati prej gjashtë muajsh vërtitet rreth një çështje kaq të thjeshtë sa edhe tabela e shumëzimit: Të hapen apo mos hapen kutitë?
Në debatin e sotëm mediatiko–politik flitet për atë që një tryezë e iniciuar nga Presidenti i Republikës do t’i ulte partitë për t’i sjellë drejt një kompromisi të dobishëm dhe të dëshiruar.
Shumë në rregull.
Do të ishte një çështje pasionante, dhe që ka gjasa të sjellë edhe rezultate politike. Por, gjithmonë, instrumentaliteti i një veprimi politik nuk udhëhiqet vetëm nga dëshira e mirë dhe nga pasioni pozitiv që nuk mungojnë.
Ka vend edhe për një arsyetim logjik politik dhe juridik.
Presidenti i Republikës i ka njohur zgjedhjet ashtu sikurse kanë qenë, bazuar sigurisht në të dhëna formale dhe juridike, të mbajtura korrektësisht në konsideratë. Tjetër mund të jetë bindja e tij subjektive. Kjo nuk ka rëndësi. Pra, në këtë tavolinë ai do të hynte sigurisht jo pa një qëndrim paraprak që përbën kufijtë e racionalitetit të sjelljes së tij politike. Nuk mund të vijë sigurisht me mendimin se rezultati i zgjedhjeve të vihet në dyshim pas gjashtë muajsh që ato janë njohur institucionalisht.
Logjika politike, përtej dëshirave të mira që kemi drejtuar nga pasioni pozitiv politik, pyet : Po përse Kushtetuta nuk i jep eksplicitisht një rol formal juridik presidentit të Republikës për të negociuar mes partive politike në veprimin e tyre politik?
Askush nuk e ngre tani këtë çështje. Tani duhet gjetur personi që mund të ulë në tavolinë dy palët politike. “Na lër rehat, tani me këto arsyetime, tani na duhet një zgjidhje. Çfarë rëndësie kanë mjetet dhe mënyrat për ta zgjidhur atë?!”, - duken se thonë.
Megjithatë ka një arsye të fortë logjike që e bën Kushtetutën ta përmbajë presidentin e Republikës brenda një kuadri veprimi normativ strikt dhe mos ta nxjerrë atë në detin e hapur të veprimit politik të panormativizuar, aq më shumë ta vërë në kushtet e një arbitri midis partive politike, apo më keq akoma në rolin e një animatori tavoline negocimi.
Sigurisht ai mund të bëjë thirrje dhe t’i nxisë forcat politike për të gjetur një zgjidhje kompromisi, sikurse ka bërë me të drejtë deri tani. Por, jo të bëhet pjesë aktive apo arbitrimi e këtij teatri (në kuptimin e mirë të fjalës) negocimi.
Këtu dallimi është esencial.
Nuk ka përse ndjek shembullin e paraardhësve të tij në këtë pikë që duke negociuar kriza politike, për të rritur rolin e tyre, nuk kanë luajtur atje veçse një rol formal por që ka futur, ka zyrtarizuar kulturën e moskomunikimit horizontal midis partive politike.
Sipas meje, më shumë ka bërë dëm sesa ka bërë mirë.
Kjo përvojë ka fuqizuar në kushte të reja kulturën e paternalizimit, aq me rrënjë në traditën shqiptare, e dëmshme dhe e prapambetur sot, sipas së cilës që dy shqiptarë të dialogojnë mes tyre, gjoja kanë nevojë gjithmonë për një strukturë institucionale hierarkike që të qëndrojë mbi ta. Përndryshe kontrata e palëve është e pamundur.
Kur do të kalojmë përtej kësaj kulture paternalizimi?
Presidenti është një institucion i lartë dhe jo një individ i thjeshtë. Institucioni i tij nuk është arbitër, por funksionon thjesht brenda një kodi normativ të përcaktuar. Se sikur edhe Presidenti të japë dakordësinë e tij për një kompromis të caktuar, do të jetë edhe po ai që nesër do të firmosë në rolin e tij edhe pasojat e këtij kompromisi. Në këtë mënyrë roli dhe funksioni i tij si aktori i fundit juridik që gjykon ftohtësisht pa qenë pjesë e veprimit politik të mëparshëm dëmtohet. Nuk ka rëndësi nëse vendimi i marrë është ose jo i drejtë.
Jo më kot Kushtetuta e ndalon presidentin e Republikës të ushtrojë funksione të tjera nga ato që ia ka parashtruar dhe përkufizuar fare qartësisht. Nuk ka atje se ai ndihmon negocimin midis forcave politike në konflikt. Supozohet se ato e gjejnë dot vetë rrugën e dialogut.
Dikush në Shqipëri duhet të rrijë përtej riskut të dështimit. Kjo është kapitale në logjikën e ndërtimit të shtetit.
Dikush, e shoh që tani, që do të më kritikojë se kam marrë një qasje formaliste. Po, e pranoj, shkolla formaliste më intereson shumë në këtë rast. Kjo edhe sepse nga pikëpamja instrumentale më duket pozitive. Është rrënjosur ndër ne një përvojë që më duket e dëmshme, që pasi partitë hyjnë në marrëdhënie krize politike, i shkojnë kësaj krize derisa nuk arrijnë të negociojnë më dot mes tyre, dhe pastaj paraqiten në një tavolinë të moderuar nga presidenti i Republikës, për të mundësuar të rivendosin kontaktin. Më duket se ky zakon ka krijuar prirje konfliktuale dhe sidomos ka penguar për të çrrënjosur një herë e mirë zakonin e keq bazuar te mentaliteti se në politikë aktorët mund edhe të mos komunikojnë. Fakti që kërkohet një instancë e tretë për të rivendosur komunikimin midis tyre duket si një lojë ku “fëmijët” janë “allnuar” dhe duhet një “i rritur” për ta zgjidhur mosmarrëveshjen.
Po sikur tryeza e negocimit të përfundojë me një marrëveshje për të cilën presidenti i Republikës mos ishte dakord? Çfarë ndodh në këtë rast? Do të thoshte ai se nuk jam dakord me përfundimet e një negocimi që iniciova vetë?
A tregon kjo pjekuri për klasën tonë politike? Më duket se jo, përkundrazi, certifikon para aktorëve ndërkombëtarë, para opinionit publik shqiptar, para historisë se aktorët politikë shqiptarë nuk e kanë ende kulturën e komunikimit politik për të zgjidhur kriza apo për të ndërtuar strategji të përbashkëta kombëtare. Gjë që nuk është e vërtetë. Edhe tani që shkruaj këto rreshta shoh pa fund ura komunikimi mes partive politike. Përse do të duhej një fasadë simbolike për ta bërë sikur zgjidhja paskësh qenë kaq e vështirë? Pra që do të thotë se partitë politike paskan pasur të drejtë që nuk komunikonin dot deri tani! Duhej të ndërhynte presidenti. Dikush nuk mungoi ta kritikonte atë edhe për apati, ndërkohë që ai po ruante pozicionin e tij.
Do të ishte një hap pozitiv përpara që partitë politike të uleshin vetë në një tryezë debati dhe negocimi, nëse duan para një paneli qytetar, nëse dëshirojnë në një sallë institucioni akademik a universitar, para panelesh qytetare, a në studio televizioni, ku të dëshirojnë, dhe mbi këtë bazë të tregojnë aftësitë dhe kulturën e tyre të komunikimit.
Presidenti i Republikës në këto kushte do të ishte ai që me autoritetin e tij, brenda kuadrit të detyrës së tij institucionale, do të ishte i gatshëm të vinte “vulën ligjore”, në emër të kombit, për rrjedhojat e pranuara prej tij, të çdo marrëveshjeje politike që do të dilte nga një negocim i pritshëm mes partive politike kryesore.