Ripërdorimi i Palokës

Kryeministri Berisha duket se po përpiqet të
gjejë arsye për të shmangur tryezën e presidentit pas pranimit të sforcuar që i
bëri kërkesës së ndërkombëtarëve për tu ulur në bisedime. Ashtu siç dhe pritej
Berisha po përpiqet ta përdorë tryezën për të gjunjëzuar opozitën duke
kushtëzuar suksesin e saj me pranimin paraprak të opsionit të tij për moshapjen
e kutive. Ai ka dhënë sot një sinjal të qartë të distancës që ka ndaj dialogut
duke rinxjerrë nga arkiva e tij figura politike që përdoren vetëm për gjeste
radikale
Mero
Baze*
Në përpjekje për të dhënë sinjale refuzuese
për bisedimet me opozitën, Sali Berisha ka nxjerrë sot nga arkiva e kohës ë tij
të vjetër një personazh që e përdor zakonisht për të artikuluar refuzimin e tij
për dialog dhe bashkëpunim.
Edi Paloka, ish-zëdhënës i Partisë Demokratike
në kohën kur ajo aplikonte bojkotin në opozitë, ka qenë viktima e parë e kursit
të dialogut që PD filloi të aplikojë pas vitit 2002. Ai është mënjanuar nga
jeta publike e kësaj partie qysh pas marrëveshjes së parë Nano-Berisha në
pranverë të vitit 2002.
Prej atëherë ai u mbajt larg prej Berishës për
shkak të ndryshimit të kursit të tij drejt dialogut me kundërshtarët dhe hapjes
së partisë. Paloka ishte nga të paktit që guxoi ta kritikonte këtë Marrëveshje
brenda PD-së dhe strukturave drejtuese të saj dhe të shprehte pakënaqësinë e
hapur për mënjanimin që Berisha i bëri atij nga marrëdhëniet publike të PD-së.
Duke e profilizuar si një politikan të vijës
së ashpër dhe radikale, Berisha e përdori Palokën sërish në zgjedhjet e vitit
2005 si kandidat në një zonë elektorale, ku shpresohej se do të përdorte
forcën, për shkak të lidhjeve të tij me individë që pretendonin kontrollin e
zonës.
Humbja e tij përballë Shpëtim Idrizit e la
edhe më mënjanë prej Berishës. Rikthimi i tij në politikë, pas largimit të Bamir
Topit për në presidencë, shënoi rikthimin e tij në jetën parlamentare, por jo
afër Berishës. Fakti që Berisha është kujtuar të përdorë sërish ish-zëdhënësin
e tij për të artikuluar qëndrimet e tij ndaj situatës politike në vend, është
një sinjal i qartë i refuzimit dhe pozicionimit të skajshëm kundër çdo
marrëveshjeje.
I dorëzuar përkohësisht nga presioni
ndërkombëtar, pranimi i kushtëzuar që Berisha i bëri dialogut me opozitën,
duket se u konvertua shumë shpejt në qëndrime radikale kundër dialogut. Edi
Paloka është figura më e sinqertë e Partisë Demokratike, që përfaqëson
mospajtimin me opozitën dhe gjuhën e skajshme kundër saj.
Si një ish-gazetar themelues i RD-së, ai ka
qenë përdorur për një kohë të gjatë për sulmet të shfrenuara ndaj ish-liderit
të opozitës Fatos Nano në kohën që ai u burgos dhe u gjykua për korrupsion në
vitin 1993.
Aq e fortë ishte vetëdija e përdorimit kundër
tij, sa në vitin 1997, Paloka u detyra të arratisej nga vendi për rreth dy
muaj, pasi Fatos Nano doli nga burgu dhe u rikthye në zyrën e tij në Tiranë.
Ripërdorimi i Palokës si artikulues i
qëndrimeve të PD-së, në një kohë që Berisha është vënë me shpatulla për muri,
për tu ulur në tryezën e bisedimeve, është një mënyrë tipike komunikimi e
Berishës me faktorin ndërkombëtar dhe kundërshtarët, kur ai refuzon atë çfarë i
imponojnë ata.
Në këtë rast i vetmi lajm i mirë, është
rivlerësimi që Berisha po bën për zotin Paloka, të cilin thuajse e kishte
harruar si një militant të sinqertë të PD-së dhe natyrisht lajm i keq është që
Berisha ka mashtruar me qëndrimet e veta ambasadorët e Perëndimit dhe po
dëshmon qartë se është shumë larg dialogut me opozitën.
Kjo do të thotë se në ditët që vijnë, lajmi më
interesant do të jetë data e mitingut të opozitës se sa dita e tryezës false me
presidentin.
(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale