E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda :Inaugurohet gjykata e re, investimi 6.5 milionë euro

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka cilësuar si reformën më të rëndësishme në drejtësinë shqiptare krijimin e Gjykatës për Krimet e Rënda dhe bashkë me këtë, ligjet si ai antimafia, që mbështesin punën e kësaj gjykate. Ministri mori pjesë dje në inaugurimin e godinës së re të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Tiranë. Ndërtimi i saj ka kushtuar 6.5 milionë euro dhe u mundësua nëpërmjet financimit të Komisionit Evropian dhe përmirëson ndjeshëm kushtet e punës në këtë institucion. “Krijimi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krimet e Rënda ka qenë një nga reformat më kryesore institucionale kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Kombinimi i ligjit penal me atë civil për sekuestrimin e pasurive të prejardhura nga aktivitete të krimit të organizuar është gjithashtu një reformë thelbësore në këtë drejtim”, - tha ministri Nishani, duke shtuar se “dëshiroj të përforcoj edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe partnerëve tanë evropianë në luftën kundër krimit të organizuar, kësaj here duke garantuar kushtet më të mira të punës për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët pjesëmarrës në mbrojtjen e shoqërisë nga njëra anë dhe ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut nga ana tjetër”. Numri një i Ministrisë së Drejtësisë ka falënderuar Komisionin Evropian për kontributin e dhënë për krijimin e kushteve sa më të mira punonjësve të drejtësisë në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar. Sipas Nishanit, një prej qëllimeve kryesore të drejtësisë shqiptare është që vendimet e saj të jenë sa më transparente, edhe për opinionin publik. Për këtë arsye me rëndësi është edhe pjesëmarrja e shtetasve shqiptarë. Në pesë sallat e saj ka vend për rreth 300 persona, të cilët kanë mundësi të ndjekin punën e sistemit të drejtësisë.
Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk është ndihma e vetme që Komisioni Evropian ka dhënë për drejtësinë shqiptare. Pjesë e projekteve rindërtuese kanë qenë edhe gjykatat e Sarandës, Vlorës, Dibrës dhe Korçës. Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, u shpreh se infrastruktura e duhur gjyqësore nuk mjafton për të kapërcyer dobësitë e gjyqësorit në Shqipëri dhe për ta bërë gjyqësorin t’i shërbejë si duhet qytetarit. “Institucionet gjyqësore duhet të jenë të depolitizuara, të pavarura dhe të përgjegjshme dhe individët që punojnë në sistemin gjyqësor – zbatuesit e ligjit, prokurorët, avokatët, gjykatësit – duhet të drejtohen nga “rendi ligjor”, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo interesave ekonomike ose personale”, - deklaroi ai. Në ceremoni mori pjesë edhe Kryeprokurorja Ina Rama, e cila përshëndeti këtë investim dhe theksoi rolin që luan infrastruktura në ushtrimin e detyrës së prokurorëve. Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda filloi në prill të vitit 2007. Tashmë ndërtesa është në shërbim të plotë të stafit të gjykatës dhe prokurorisë. Në ndërtesë janë edhe 200 zyra, si edhe pesë salla ku do të zhvillohen proceset gjyqësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›