Dëmshpërblimi, nis ndarja e fondit për të përndjekurit
Pas publikimit të 1442 emrave të ish të përndjekurve politikë, Ministria e Financave ka lëvruar paratë për 60 prej tyre. Këta janë përfituesit e parë që kanë mbyllur dokumentacionin dhe të martën, pas hapjes së bankave të nivelit të dytë në numrat e llogarisë së tyre do të jenë hedhur paratë e dëmshpërblimit. Kalimi i parave është bërë që sot, por duke qenë se e hëna është pushim për shkak të festës së verës, paratë do të kalojnë në numrat e llogarisë të martën. Sipas njoftimit, Ministria e Financave ka dërguar për në Bankën e Shqipërisë shkresën zyrtare për kalimin e parave për llogari të 60 ish të dënuarve të parë, që kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar. “Pas publikimit të listës me rreth 1400 ish të përndjekur që u verifikuan nga ministritë e linjës, Ministria e Financave bëri publike në media se ishin autorizuar 8 banka të nivelit të dytë, ku ish të përndjekurit e listës zyrtare do të mund të hapnin llogaritë depozitë për të marrë dëmshpërblimin. Deri më tani rreth 60 shtetas shqiptarë kanë përmbushur këtë detyrim, i cili është pasuar me çeljen e fondit nga ana e Ministrisë së Financave”. Sipas financave, bankat e autorizuara për çeljen e këtyre llogarive janë; Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, Banka Kombëtare Greke, BKT, Tirana Bank, Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare. “Me hapjen e llogarisë personat do të depozitojnë fizikisht në degët e thesarit të çdo dege vërtetimin/konfirmimin për Emër, Atësi, Mbiemër dhe numrin e llogarisë në formë të shkruar. Me përcjelljen e këtij informacioni nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave, kjo e fundit do të procedojë pagesat për në llogaritë e përfituesve”. Sipas vendimit të qeverisë, masa e dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve, me dënim kapital, do të bëhet me këste, të cilat janë jo më shumë se 1/8 e masës së dëmshpërblimit. Qeveria e shpëtoi fondin 1 miliard lekë të vitit të kaluar më datë 29 dhjetor, duke e depozituar në Bankën e Shqipërisë.