E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Sfidë, drejtësia e pavarur nga politika

 

Presidenti Topi i rikthehet debatit publik mbi pavarësinë e drejtësisë, duke thënë se sfida e institucioneve është pikërisht vendosja e këtij sistemi në pozicion kushtetues. Duke folur nga qyteti i Burrelit, kreu i shtetit deklaroi se edhe nga kontaktet e vazhdueshme me qytetarët çështja e drejtësisë konsiderohet si shqetësim i madh. “Ka qenë objekt i diskutimit gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sfida më e madhe ajo që unë po mundohem të përballoj së bashku me aktorët e tjerë institucionalë dhe politikë, është vendosja e sistemit të drejtësisë në pozicionin kushtetues që i takon dhe i pavarur totalisht nga të gjitha influencat, qofshin këto politike apo ekonomike dhe ky institucion kaq i rëndësishëm duhet të jetë në funksion të qytetarëve të thjeshtë”, deklaroi kreu i shtetit. Në të njëjtën kohë ai i bëri apel qytetarëve që të pajisen me kartat e reja të identitetit dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. “Në 28 qershor janë zgjedhjet e përgjithshme politike. Unë ju bëj thirrje që të bëheni pjesë masivisht në këto votime dhe kusht paraprak që të merrni pjesë natyrisht që është pajisja me kartat e identitetit, që janë shumë të rëndësishme për çdo person. Duhet patjetër që të merrni pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me administrimin e fateve tuaja, pastaj gjithsecili ka bindjet e veta politike”, theksoi më tej kreu i shtetit. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›