Mbikëqyrja bankare, ja disa nga funksionet themelore
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është përfshirë këto kohë në rinovimin e mandateve të disa prej anëtarëve të tij. Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i politikave, i administrimit dhe i operacioneve të Bankës së Shqipërisë. Mbikëqyrja ka si detyrim ligjor të miratojë politikën monetare, duke përcaktuar kufijtë e operacioneve të Bankës së Shqipërisë në treg të hapur, përqindjen e interesave për depozitat në Bankës Qendrore dhe për skontimet dhe huatë ose kreditë e BSH-së, si dhe të nivelit të rezervave të detyrueshme që bankat e nivelit të dytë duhet të mbajnë në Bankën e Shqipërisë. Gjithashtu, mbikëqyrja është e vetmja që vendos mbi regjimin dhe politikën e këmbimeve valutore të Republikës së Shqipërisë, si dhe të miratojë procedurat që përdoren për përcaktimin e vlerës së lekut në raport me valutat e huaja. Po kështu miraton të gjitha vendimet, rregulloret dhe udhëzimet me zbatim të përgjithshëm, që nxirren nga Banka e Shqipërisë dhe të gjitha raportet dhe rekomandimet që Banka e Shqipërisë i paraqet Kuvendit ose Këshillit të Ministrave. Këshilli Mbikëqyrës përcakton vlerën nominale, prerjet dhe konfigurimin e kartëmonedhave dhe monedhave, si dhe kushtet e tërheqjes nga qarkullimi dhe gjithashtu miraton kreditë ose huatë e Bankës së Shqipërisë për qeverinë.