Fullani kalon votimin në komisionin e Ekonomisë
Tri kandidaturat e propozuara nga qeveria, nga ku pritet të dalë edhe Guvernatori i ardhshëm i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Elisabeta Gjoni dhe Petraq Milo morën vetëm miratimin e mazhorancës në komisionin e Ekonomisë. Ja të gjitha debatet....
Komisioni kuvendor i Ekonomisë votoi vetëm me votat e mazhorancës tri kandidaturat e qeverisë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Opozita refuzoi të votonte, duke e cilësuar si antikushtetues dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit votimin e hapur, e duke theksuar se nuk mund të detyrohet të japë qëndrimin e saj përpara se të mbahet seanca plenare. Tri kandidaturat e propozuara nga qeveria, nga ku pritet të dalë edhe Guvernatori i ardhshëm i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Elisabeta Gjoni dhe Petraq Milo u pritën me debate të ashpra gjatë diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës. Deputeti socialist, ekspert në fushën e ekonomisë, Erion Braçe akuzoi guvernatorin Fullani për korrupsion duke financuar borxhin e brendshëm të qeverisë. “Të mbanit përgjegjësi për raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ju bëj përgjegjës për një arsye të madhe, kur flas për raportin kam parasysh kuadrin ligjor. Deri në vitin 2004 nuk ka pasur regjistër kredish të këqija. Ju nuk doni të kuptoni që 0.7 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto janë detyrime të qeverisë që ia ka privatit. Për ne, kandidatura juaj është e papranueshme”, - u shpreh deputeti socialist, Erion Braçe. Nga ana e tij, guvernatori Fullani mohoi çdo akuzë të opozitës për korrupsion në detyrën që ka mbajtur në krye të Bankës Qendrore. “Nuk ka asnjë të vërtetë. Unë jam i vetmi guvernator i propozuar jashtë politikës dhe në 20 vitet e fundit nuk kam pasur asnjë lidhje me politikën. E kam kthyer Bankën e Shqipërisë në një institucion të pavarur. Jam në detyrë kryetar i bordit në lidhje me FMN-në, nga e cila, si edhe nga Banka Botërore e institucione të tjera ndërkombëtare financiare, Banka e Shqipërisë ka marrë vlerësime maksimale. Banka Qendrore nuk ka financuar deficitin buxhetor. Ka drejtuar prej vitesh qeverinë drejt tregut. Të gjitha transaksionet kryen në treg. Banka e Shqipërisë ka qenë ndërmjetëse duke siguruar likuiditetin në treg. I kemi bërë ballë krizës botërore dhe kemi një treg bankar të sigurt. Nuk financojmë qeverinë. Të flas për afera korruptive, më vjen turp. Vij nga një familje e mirë dhe shumë e respektuar”, - u shpreh guvernatori Fullani në replikë me deputetin socialist, Braçe. Akuzat e opozitës për sa i përket shitjes së “Hotel Dajtit”, guvernatori Fullani i cilësoi si ‘një telenovelë të shëmtuar’. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë arriti të blejë objektin pasi ai nuk kishte asgjë. “Do bëhet nga fillimi. Do jetë një BSH moderne për të hyrë në BE. Është përzgjedhur grupi i projektimit. Së shpejti do shpallet tenderi”,- tha Fullani. Maxhoranca mbështeti fuqishëm figurën e guvernatorit Fullani duke lënë përshtypjen se në seancë plenare do të jetë i votuari i mazhorancës si guvernatori i ardhshëm edhe për një mandat tjetër në krye të Bankës së Shqipërisë. Kreu i komisionit kuvendor të Ekonomisë, Edmond Spaho e vlerësoi guvernatorin Fullani si profesional në punën e tij duke i bërë ballë një periudhe të vështirë si kriza botërore. “E keni propozuar ju”, - iu drejtua Spaho opozitës. Guvernatori Fullani prezantoi si sfida të punës së tij një politikë moderne makroekonomike duke mbajtur në një nivel të stabilizuar çmimet, nxitur punësimin dhe sigurinë në sistemin bankar. Kandidatura Elisabeta Gjoni, e cila vitet e fundit ka qenë në drejtimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, mori edhe vlerësimin e opozitës, sidomos të deputetes Mimi Kodheli, pavarësisht se opozita refuzoi të votonte duke e cilësuar si sabotim të votimit në parlament. Deputeti socialist Arben Malaj, ekspert në financat publike, vërejti se në Këshillin Mbikëqyrës duhet të kishte ekspertë në financat publike. Sipas tij, shqetësimet që mbeten referuar ekonomisë së vendit janë kostot e fshehta, një pjesë e borxhit publik kthehet në borxh privat dhe rëndon si kredi të këqija dhe gjithashtu debati i hapur për sa i përket pikërisht kredive të këqija, raporti i kredive të pakta dhe sistemi i hipotekave. “Të përmirësohet cilësia e kredidhënies. Është proces afatgjatë. Nuk mbaron procesi me dhënien e hipotekave, sepse pas marrjes së kredive klientët e shesin borxhin”, - tha Malaj. Deputeti Malaj, gjithashtu në debatin me anëtarin tjetër të propozuar nga qeveria, Petraq Milon, duke e cilësuar si kandidaturë politike u shpreh se BSH nuk mund të jetë institucion i pavarur me kandidatura politike dhe kur nuk ka një harmonizim mes politikës monetare dhe asaj fiskale. Kjo është sfida më e vështirë e dy viteve të ardhshme”, – u shpreh Malaj. Ndërsa vetë kandidati Petraq Milo, duke prezantuar sfidat e tij u shpreh se politika monetare duhet të drejtohet nga stabiliteti i çmimeve dhe punësimi. “Duhet t’i japim vendin që i takon kreditimit në monedha të tjera. Do të bashkërendojmë politikat fiskale me ato monetare. Politika e shtrëngimit duhet të jetë e balancuar dhe do të shihet me përparësi çështja e konsumatorit”, - tha Milo. Duke iu përgjigjur pyetjes së opozitës për të ardhurat e INSIG-ut, Milo iu referua të dhënave më të fundit të publikuara nga gazeta MAPO, ku cilësoi 1/3-ën e dividentit fiskal në qeveri në fund të 2011-ës, 3 mln euro në divident në Ministrinë e Financave në vend të dytë për pronat. Gjithashtu sipas tij, ligji i ri për liberalizimin e TPL-ve do të sjellë rritjen e të ardhurave nga ky sektor. Debatit të nxehtë të borxhit dhe deficitit buxhetor Milo iu përgjigj se vendi ka koston më të ulët të borxhit, pasi është financuar përherë me borxhe me kosto të ulët. Sipas tij, si borxhi edhe deficiti janë të menaxhueshëm.
Debatet:
Braçe- Fullanit: Ke financuar borxhin e brendshëm të qeverisë, je i korruptuar. Je kandidaturë e papranueshme për opozitën.
Fullani- Braçes: Gëzoj autoritet dhe respekt të ndërsjellë në publik. Është shumë e turpshme të dëgjoj për afera korruptive. Nuk është në moralin tim dhe të familjes sime. Vij nga një familje e mirë. Punoj me profesionalizëm.
Spaho: Fullanin e keni propozuar ju.
Braçe: Tani do thoni që guvernatorin ia japim opozitës...
Noka: E ke votuar.
Brace: Ai e di se sa ia kam dhënë votën...
Kodheli: Nuk votojmë. Seanca dëgjimore nuk ka të bëjë me votimin. Kjo saboton votimin në parlament.
Malaj: Buxheti është riparë 4 herë këtë vit. Do kemi prapë shkurtime. Në 6 muajt e për qeveria është financuar me 228% me huamarrje të brendshme.