E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, kompromis për Ermelinda Meksin në bordin e BSH

Tri kandidaturat politike për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë pritet të diskutohen në ditët në vazhdim në komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Gjatë Konferencës së Kryetarëve, ditën e djeshme Astrit Patozi i kërkoi opozitës të propozonte kandidaturën e saj për një nga tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së që janë në kompetencën e zgjedhjes nga Kuvendi. Në mbledhjen e grupit, kreu Gramoz Ruçi diskutoi me të pranishmit për të propozuar një kandidaturë të mundshme, ndërkohë që deputetja Ermelinda Meksi shfaqi dëshirën për t’u vetë propozuar. Ndërsa Partia Socialiste pritet që të përfaqësohet në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me Ermelinda Meksin, Partia Demokratike ka përzgjedhur si kandidat rektorin e UT-së, Dhori Kule, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, Ela Golemin. Tri kandidaturat partiake pritet të diskutohen në ditët në vazhdim. Ndërsa anëtari i fundit i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së zgjidhet vetë nga Këshilli, por duke qenë se të gjithë anëtarëve u ka mbaruar mandati, ky anëtar do të përzgjidhet pas miratimit të gjashtë anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së nga Parlamenti.

Propozimi i Ermelinda Meksit për një nga vendet në Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së është lëvizja e parë e PS-së në drejtim të bashkëpunimit me mazhorancën për zgjedhjen e anëtarëve apo drejtuesve të institucioneve të pavarura. Deri tani opozita nuk ka marrë pjesë në këto votime dhe për më shumë Rama para pak kohësh i kërkoi kryeministrit Berisha, që në kuadër të paktit 10-pikësh opozitës t’i liheshin tri vende në Këshillin Mbikëqyrës. Por maxhoranca nuk e pranoi këtë, duke thënë se nuk mund të bëhet pazar me institucionet e vendit. Tashmë me propozimin e Meksit për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, për ironi, vetëm deputetja PS-së e ka të sigurt pothuaj 100% kalimin në Kuvend, pasi pritet të marrë votat e opozitës por edhe ato të mazhorancës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›