Mbingarkesa shkakton rënien e largpërçuesit

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit ka rënë nga sistemi largpërçuesi që lidh nënstacionet Prishtina 4 me Gjilanin, me ç’rast për disa orë, Ferizaj, Gjilani, Vitia dhe Sharri kanë pasur kufizime në furnizim me energji elektrike.
“Sot më 29 dhjetor 2009, në ora 06:43 të mëngjesit, si pasojë e mbingarkesës është shkaktuar shkrirja dhe këputja e urës përçuese në shtyllën e parë të Nënstacionit 110/35 kV Gjilani dhe si pasojë ka rënë largpërçuesi LP 184/1 që lidhë Nënstacionet NS 220/110 kV Prishtina 4 me NS 110/35 kV Gjilani. Si pasojë e kësaj prishje kufizime në furnizim me energji elektrike kanë pasur Ferizaj, Gjilani, Vitia dhe Sharri”, thuhet në një komunikatë të KOSTT-it.
Por ekipet e mirëmbajtjes të KOSTT-it thuhet se kanë ndërmarrë masa për eliminimin e prishjes dhe në ora 12:36, largpërçuesi 184/1 është kthyer në punë dhe ka filluar furnizimi me energji elektrike i kësaj pjese të vendit sipas planit të paraparë të Korporatës Energjetike të Kosovës.
KOSTT-i kërkon mirëkuptim për prishjen dhe njëherit lut qytetarët për kursim të energjisë elektrike në mënyrë që të eliminohen vështirësitë e tilla.