INSTAT: Rritja ekonomike shkoi në 4.1 %
29/12/2009 Publikohen të dhënat e tremujorit të fundit. Në krahasim me gjashtëmujorin rritja 0.1 për qind
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT-it, në tremujorin e tretë të këtij viti prodhimi i brendshëm bruto në Shqipëri shënoi një rritje prej 4.1% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Ndërkohë krahasuar me tremujorin paraardhës të po këtij viti rritja është 0.4 % . Sipas deklaratës së dhënë për mediet, në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të mëdha ishin post-telekomunikacioni, transporti dhe tregtia, respektivisht me 34.3 për qind, 15.5 për qind dhe 6.4 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Degët që patën rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin industria dhe ndërtimi, respektivisht me - 4.5 dhe - 0.7 për qind. Krahasuar me tremujorin e dytë 2009 rritjen më të madhe e kishin degët post-telekomunikacion me 20.5 për qind dhe industria me 5.0 për qind. Ndërsa degët që pësuan rënie janë ato të ndërtimit me -9.5 për qind dhe shërbimet me -0.2 për qind. Krahasimet e degëve
Bujqësia. Aktiviteti bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 2.8 për qind. Ndërkohë që krahasuar me tremujorin paraadhës të këtij viti rritja e këtij sektori është 0.3 për qind.
Për tregtinë, hotelet dhe restorantet theksohet se ky grup kishte një rritje prej 6.4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 1.6 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009.
Transporti në tremujorin e tretë të vitit 2009 u rrit me 15.5 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Gjithashtu pati një rritje prej 3.5 për qind ndaj tremujorit paraardhës.
Ndërkohë dega e post-telekomunikacionit pati rritjen më të madhe: 34.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009 përkundrejt tremujorit të tretë të 2008 dhe 20.5 për qind përkundrejt tremujorit të dytë të vitit 2009. Gjithashtu shërbimet në tremujorin e tretë të vitit 2009 kishin rritje me 2.3 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2008 dhe një rënie prej 0.2 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009.
Industria
Grupi i industrive pësoi një rënie prej 4.5 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009 krahasuar kjo me tremujorin e tretë të vitit 2008. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009 dega e industrisë pati një rritje prej 5 për qind.
Ndërtimi
Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2009 u ul me 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Gjithashtu ky sektor pësoi një rënie me 9.5 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009.