Ia shohin hajrin gripit

Kompanitë prodhuese të vaksinave kundër gripit AH1N1 kanë fituar miliarda dollarë nga shitja e tyre. Pas shpalljes së gripit të derrit një pandemi botërore nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë më 11 qershor 2009, shumica e shteteve të botës u alarmuan dhe porositën miliona doza vaksine. Ato shtete të cilat nga frika e panikut të përhapur në atë periudhë porositën menjëherë vaksinat, tani rrezikojnë t’u mbesin në dorë.
Pavarësisht se shumë shtete nuk e kanë marrë akoma sasinë e porositur, miliona vaksina u kanë mbetur stoqe në duar. Përveç kësaj, shtetet janë të detyruara të marrin të gjithë sasinë e porositur të vaksinave në bazë të marrëveshjes së bërë me përfaqësuesit e firmës.
Anglia, Franca, Zvicra dhe Danimarka kanë blerë 175.1 milionë doza vaksine AH1N1. Sasia e përdorur deri tani nuk i kalon as 11 milionë doza. Danimarka e cila ka blerë vaksinën nga firma GlaxoSmithKlein, ia ka paguar firmës 131 milionë dollarë amerikanë. Sipas informatave të dhëna nga Instituti Serum, Danimarka pas shpalljes së gripit të derrit pandemi ka blerë 3,1 milionë doza vaksinë. Nga dozat e marra deri tani janë përdorur 380 mijë doza. Dozat e tjera presin në depo.
E njëjta gjë vlen dhe për shtetet e tjera të Evropës. Zvicra e cila ka blerë gjithsej 18 milionë vaksina, ka përdorur vetëm 5 milionë prej tyre. Gjendja e shteteve me popullsi më të madhe se vendet skandinave, si Franca dhe Anglia, është më tragjike.
Nga 94 milionë doza vaksine të blera nga Franca, janë përdorur vetëm 3 milionë. Anglia me një popullsi prej 51 milionë banorësh ka blerë 60 milionë doza vaksine dhe ka përdorur vetëm 2.3 milionë doza. Mendohet se firmat e vaksinave kanë përfituar rreth 55 miliardë dollarë para nga gripi i derrit.