E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbishkrimet e Butrintit, rëndësia si e Delfit



“Mbishkrimet e Butrintit” me autorë Pierre Cabanes dhe Faik Drinin është vlerësuar si vepra themelore më e mirë në kolektiv. Në të përfshihen 218 epigrame, që u përkasin akteve të lirisë së skllevërve. Risia e këtij botimi, mbi të cilën mori vlerësim nga votat e studiuesve në konferencën e parë të albanologëve, lidhet me konkluzionin e arkeologëve: të ekzistencës së një bote autoktone ilire të dhënë përmes epigrafeve, mbishkrimeve në gjuhën greke që janë zbuluar në Butrint.

Kjo i takon korpusit të mbishkrimeve greke të Ilirisë së Jugut dhe të Epirit, ku janë përqendruar interesat e autorëve. Arkeologu francez ka treguar se është një punë 30-vjeçare. “Mirënjohje për gjithë kolegët që kanë arritur të kenë mirënjohje për punën tonë 30-vjeçare. Mbishkrime që janë të gdhendura në gurë, shpeshherë në shkëmbinj, të japin përshtypjen e një shkence, e cila është e mbyllur në vetvete. Teksa ne arrijmë t’i deshifrojmë këto mbishkrime, atëherë kuptojmë edhe raportet që janë në këtë shoqëri të kaluar dhe kryesisht në shekujt e tretë dhe të parë para erës sonë”, - është shprehur për gazetën “standard” pas marrjes së çmimit arkeologu Cabanes.

Mbishkrimet ndodhen njëri në teatrin e Butrintit dhe një tjetër në kullën në murin rrethues të qytetit. Ajo çfarë është deshifruar nga arkeologët në mbishkrimet ka të bëjë me dekretet për lirimin e skllevërve, duke sjellë të dhëna për organizimin social dhe politik të atij rajoni, që sipas autorëve të librit, tregojnë për një qytetërim.

“Mbishkrimet e Butrintit i përkasin një periudhe, ku dokumentacioni antik karakterizohet nga një heshtje pothuajse e plotë. Këto territore në përgjithësi, si Butrinti, Epiri, Iliria përmenden në burimet e autorëve antikë, për sa kohë Roma nuk i kishte pushtuar. Pas pushtimit të Romës, autorët antikë nuk flasin më për këtë. Mbishkrimet i përkasin kohës kur këto krahina sapo janë vënë nën sundimin romak. Këto epigrafe përfshijnë periudhën që nga viti 168 para Krishtit deri shekullin e parë e.s.”.

Cabanes ka treguar se do të vazhdojë punën e tij në këtë fushë, të cilën do të përmbledhë në një volum të katërt, ku do të përmblidhen të gjitha mbishkrimet që vijnë nga zona të tjera, përveç Durrësit, Apolonisë edhe Butrintit që tashmë janë të botuara. Po cili është rezultati shkencor i këtyre mbishkrimeve, çfarë përbën kjo për këtë anë të botës shkencore e zbuluar në Butrint? Apo mbeten thjesht zbulime lokale?

Prof. Cabanes ka shpjeguar se “në fakt është një dëshmi për një territor më të gjerë, për një ansambël më të gjerë. Ka rreth 600 mbishkrime që kanë të bëjnë me lirimin e skllevërve, në Butrint. Nëse do të krahasonim këto mbishkrime me një qendër tjetër të rëndësishme siç është Delfi, kjo nuk ka më shumë se 1.400 vendime për lirimin e skllevërve. Duket se është pak më shumë se dy herë në krahasim me Butrintit. Ky krahasim për të parë se çfarë rëndësie merr ky zbulim në Butrint. Kjo është një dëshmi për rëndësinë e këtyre mbishkrimeve jo vetëm për rajonin”.

Kontaktin e parë më Shqipërinë, Cabanes e ka pasur në vitin 1971, i shtyrë nga profesori i tij, Lui Rober, që njihet si një nga mjeshtrit e epigrafisë. Rober, sipas arkeologut, ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1965. “Kur u kthye në Francë, ishte pikërisht ai që më ftoi që të vija për të parë këtë material aq të pasur në Shqipëri. Ai më tha se ka material arkeologjik dhe mbishkrimor shumë të pasur. Në fakt, ia dedikoi atij këtë orientim të jetës sime shkencore”, - tregon Canabes. Ajo çfarë e nxit më tej profesorin francez të epigrafeve, është dhe studimi dhe hedhja në një volum të pestë, të mbishkrimeve në zonën e Epirit grek, konkretisht në Dodonë dhe Ambrakinë. Në fillim viti do të jetë në Janinë, për të qenë i pranishëm në një tjetër botim të bërë nga kolegët e tij grekë, duke ikur nga Tirana me idenë fikse, tashmë të zbuluar, se në antikitet rajonet e Greqisë veriperëndimore dhe të Shqipërisë së Jugut kanë organizime thuajse të njëjta sa i takon organizimit politiko-shoqëror.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›