Beja, UPT-së: T’u jepen diplomat studentëve
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, i ka dërguar një letër Rektorit dhe Senatit të Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), në përgjigje të kërkesës së një grupi studentësh të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, të cilët kanë shprehur shqetësimin për mospajisjen me diploma nga ky institucion i arsimit të lartë, gjë që nuk u ka dhënë mundësinë për të vijuar ciklin e dytë të studimeve. Ministri Beja, bazuar në vendimi nr. 824, datë 5.12.2007, i Këshillit të Ministrave, pika 3, në letrën drejtuar Rektorit dhe Senatit të Universitetit Politeknik të Tiranës, saktëson se "diplomat e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike duhet të jenë diploma ndërdisiplinore dhe se UPT duhet të përcaktojë fakultetet që do të bëjnë administrimin e këtyre diplomave". “Është detyra juaj dhe e Senatit të UPT-së, që të vendosë fakultetin që do të administrojë këto diploma, duke pasur parasysh aftësinë e përmbajtjes së këtyre programeve të studimit me programet e tjera të studimit të ofruara nga universiteti juaj, si dhe modelet e marra nga universitetet e huaja”, - shkruan ministri.
Sipas tij, “UPT duhet të veprojë me shpejtësi për të zbatuar vendimin e mësipërm të Këshillit të Ministrave, që është një detyrim ligjor për ju, duke plotësuar në këtë mënyrë kërkesën e drejtë të studentëve për t’u pajisur me diplomë”.
Për sa u përket programeve të studimit të ciklit të dytë për Inxhinieri Matematike dhe Inxhinieri Fizike, Beja shprehet se UPT ka aplikuar me shumë vonesë. “Kërkesa juaj ka ardhur në MASH më datë 28.10.2008, ndërkohë që viti akademik kishte filluar. Gjithsesi, miratimi i këtyre programeve do të ndjekë procedurat përkatëse ligjore”, - shkruan Beja, duke siguruar se do të mbështesë miratimin e tyre në përputhje me ligjin