Ruli: Koncesioni për kaskadën e Devollit, shenjë besimi e investitorëve të huaj
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, vlerësoi dje se koncesioni për ndërtimin e kaskadës së lumit Devoll, i nënshkruar dy ditë më parë në Tiranë, “është mjaft pozitiv në këtë situatë të krizës ekonomike dhe financiare botërore, ku padyshim pasoja e parë ka qenë tkurrja e investimeve dhe sidomos e investimeve të huaja”.
Gjatë konferencës për shtyp në mjediset e Kryeministrisë z. Ruli vuri në dukje se “është mjaft për t'u vlerësuar dhe për t'u shënuar fakti që investitorë seriozë vazhdojnë të marrin angazhime të nivelit të investimeve prej 1 miliard euro në sektorin energjetik shqiptar”. Sipas tij, kjo është shenjë e besueshmërisë që ata kanë në vetë transparencën e modelit që ne kemi zgjedhur, është edhe shenjë besimi që ata kanë në stabilitetin afatgjatë ekonomik, politik dhe institucional të vendit tonë. Marrëveshja me koncesion për shfrytëzimin e lumit Devoll, me një fuqi të instaluar prej 320 MW, është një provë që modeli i koncesioneve, i zgjedhur nga qeveria shqiptare, ka filluar të japë produktet e tij dhe mund të quhet një model i suksesshëm. “Faktikisht kemi të konkluduara si rezultat i këtij modeli dy kontrata madhore, që diferencojnë mes tyre, projektin e Ashtës, të Devollit dhe jemi në gjysmë të fazës në projektin e Skavicës”, - tha Ruli. Ai vuri në dukje se dy ditë më parë njoftuam përzgjedhjen e 6 kompanive të parakualifikuara për ndërtimin në formë koncesioni të hidrocentralit të Skavicës, të cilat janë kompani të një reputacioni ndërkombëtar. Duke nënvizuar faktin se ky model i ka dhënë provat e para, faktikisht me 50 kontrata të firmosura koncesionare në kategorinë e hidrocentraleve të vegjël, Ruli tha se të gjitha së bashku këto kontrata përbëjnë një kapacitet të instaluar prej 200 MW.