Mbivendosjet e pronave, mbi 500 ankesa në Gjirokastër
GJIROKASTËR- Mbivendosjet dhe grupet e azhornimit në procesin e ndarjes së tokave bujqësore me ligjin 7501, janë evidentuar si problemet kryesore në qarkun e Gjirokastrës e që vazhdojnë të reflektohen edhe pas 18 vitesh. Në mbi 500 llogaritet numri i ankesave të depozituara nga fermerët në rrethet Tepelenë, Përmet e Gjirokastër, ku denoncohen shkelje të ndryshme. Problematika më e ashpër në këtë drejtim është në qytetet e Këlcyrës dhe Përmetit si dhe në Fshat Memaliaj, ku parcela të tëra kanë probleme. Kryetari i komisionit vendor për verifikimin e titujve të pronësisë, Pandeli Toli pohon se të gjitha ankesat po verifikohen në terren, ndërsa janë marrë disa vendime të pjesshme. "Gjatë verifikimeve janë gjetur më shumë mbivendosje, pra për të njëjtën sipërfaqe ekzistojnë dy pronarë. Tjetër gjë është gjetur se gjatë hipotekimit, sipërfaqja e tokës së marrë nga një pronar është regjistruar në emër të një pronari tjetër dhe kjo ka ndodhur për faktin se gjatë rilevimeve dhe azhornimeve të kryera në vitet 1998- 2000 në disa fshatra janë bërë gabime dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vazhdon të punojë me këto azhornime dhe aktet e marrjes së tokave në pronësi me çertifikatat e pronësisë kanë kështu një ngërç të madh", ka theksuar Toli.
Ndërkaq, pak kohë më parë, gjatë verifikimeve rezultoi se në mjaft raste ish- anëtarët e komisioneve të ndarjes së tokave kanë përfituar sipërfaqe shtesë në mënyrë të padrejtë, një fenomen ky i vërtetuar në komunën e Dragoit në rrethin e Tepelenës, ndërsa po verifikohen edhe në njësitë e tjera të qeverisjes vendore të qarkut Gjirokastër.