Skadimi, Godo: Berisha mund t’i zëvendësojë deputetët e PS-së
Mungesa e deputetëve socialistë në Kuvend është pa arsye dhe në momentin e skadimit të afatit kushtetues 6-mujor, ata mund të zëvendësohen nga mazhoranca me pasardhësit e listës së PS-së. Bashkëhartuesi i Kushtetutës, republikani Sabri Godo, u kujton deputetëve bojkotues të PS-së se mandati i tyre nuk i takon vendimit politik të partisë, por zgjedhësve, pasi, sipas tij, janë qytetarët që i kanë votuar dhe jo për të mos shkuar në Kuvend, por për të qenë zëri i fortë i tyre në këtë institucion. Z. Godo i jep të drejtë Kryeministrit Sali Berisha se në rast të djegies së mandateve nga ana e të mandatuarve socialistë, atëherë ata do të zëvendësohen me emrat e tjerë të listës. Por, ai shton se nuk duhet kurrsesi të arrihet deri në këtë pikë dhe kërkon të gjendet rruga e dialogut mes dy palëve. “Për sa i përket betimit, atje nuk është vënë një afat se brenda sa kohe duhet bërë betimi, sepse supozohet që në seancën e parë të hapjes së Parlamentit, mbasi ke marrë mandatin duhet të shkosh në Parlament dhe të bësh betimin. Këtu kemi gjëra anormale. Ai nuk ka shkuar të bëjë betimin. Për sa kohë do t’i lejohet kjo? Këtu jemi tek pika e dytë që thotë se humbet mandatin në qoftë se nuk paraqitesh pa arsye për 6 muaj”, - shprehet z. Godo. Republikani Godo përmend aspektin kushtetues, kur thotë se do të quhet i djegur mandati i këtyre deputetëve dhe do të bëhet rekrutimi i klasës së dytë, i atyre që vijnë fill pas tyre dhe Kushtetuta këtë presupozon. Por, - shton ai, - Kushtetuta në shpirtin e saj, në filozofinë e saj e shkruan këtë ose e hap këtë shteg, kur bëhet fjalë për një individ dhe nuk merret dot me mend që kjo do të shtrihej në gjysmën e Parlamentit”. Sipas Godos, situata e krijuar nga vendimi politik i Partisë Socialistë është anormale dhe del përtej logjikës politike. Ai pohon në mënyrë të qartë se nuk mund të ketë vendim partiak për të mos u futur në Kuvend, pasi mandati i deputetit nuk i takon partisë, por zgjedhësve. Godo kritikon disi gjuhën e përdorur nga Kryeministri Berisha, por thotë se kjo ishte një kundërreagim i akuzave të vazhdueshme që vetë kryesocialisti Rama ka hedhur kundrejt familjes se Kryeministrit. “Duhet që Berisha të moderojë mënyrën e tij të të folurit si Kryeministër në Parlament dhe të heqë dorë nga ataket personale, megjithëse atë vetë dhe familjen e tij e kanë rënduar me të vërtetë me të tepërt, por ja që i takon atij të durojë për të mirën e këtij vendi”, - theksoi z. Sabri Godo.
Kreu i Asamblesë së PR-së vë në dukje se partitë politike janë tashmë aq të maturuara sa për të gjetur një zgjidhje të krizës në vend pa pasur nevojën e ndërhyrjeve te tjera, qoftë edhe të Presidentit të Republikës.