LSI: PS i certifikoi zgjedhjet, tani t’i pranojë
Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon PS-së të tërhiqet nga bojkoti i Kuvendit dhe t’i kthehet jetës parlamentare, duke i kujtuar se ishin komisionerët e saj që certifikuan zgjedhjet e 28 qershorit. Filloreta Kodra foli dje edhe për kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, që, sipas saj, kjo është një kërkesë absurde, sepse është vetë opozita certifikuesja e madhe e zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi 20 mijë komisionerë socialistë kanë firmosur pa ankesa gjithë procesin zgjedhor. Madje Kodra theksoi se opozita duhet të vërë në vend nderin e votuesve të nëpërkëmbur, duke i dhënë fund bojkotit dhe të rikthehet në Kuvend. Në një kohë kur Shqipëria është më afër se kurrë liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian, opozita e Edi Ramës, vlerësoi Kodra, po sillet në mënyrën më të keqe antiatdhetare, antiinstitucionale dhe antieuropeiste. Duke e konsideruar kërkesën për hapjen e kutive të votimit nga opozita si një antiakuzë, ajo tha: “Kjo është kërkesa më absurde, sepse është vetë opozita certifikuesja e madhe e zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi 20 mijë komisionerë socialistë kanë firmosur pa ankesa të gjithë procesin zgjedhor”. Si rrjedhojë, opozita duhet të kthehet sa më parë në Parlament për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur të votuesve të saj”, - vuri në dukje Kodra, sipas të cilës, “verdikti i votuesve po përdoret vetëm në funksion të interesave personale të një kryetari të çoroditur e në panik, që për shkak të etjes së pakufishme për pushtet është gati të çojë në greminë Shqipërinë”.