E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbivendosjet në bregdet, 3 dosje në Prokurorinë e Tiranës

Krahas problemeve me “Plazhin e Gjeneralit” dhe “Gjirin e Lalëzit”, abuzime edhe në zonën e “Malit të Robit”

Skandali i mbivendosjes së pronave në bregdetin e Durrësit dhe Kavajës merr përmasa më të mëdha, teksa njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka marrë nën hetim disa ish-zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Pronave. Krahas problemeve me pronat në zonat e quajtura “Plazhi i Gjeneralit”, në Kavajë, dhe “Gjiri i Lalzit”, në Durrës, prokuroria ka gjetur probleme edhe në zonën e “Malit të Robit”, ku dyshohet se janë mbivendosur dhjetëra hektarë troje në një zonë të preferuar për ndërtime. Hetimet janë në fazën e mbledhjes së informacioneve, ndërsa janë marrë në pyetje shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të AKP-së. Mësohet se organi i akuzës ka hapur hetimet pas vendimeve të agjencisë për “kthimin e pronës”.

Mbivendosjet

Njësia hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka hapur tre hetime ndaj ish-krerëve të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ish-kreu i saj, Tunxh Vatnikaj, dyshohet se ka shkelur ligjin për pronat në zonën e quajtur “Plazhi i Gjeneralit” në Komunën Synej të Kavajës. Dosja është dërguar në gjyq dhe aktualisht procesi është në fazën e marrjes së provave nga organi i akuzës. Prokuroria i është përveshur punës dhe gjatë kontrollit në regjistrat e pronave të AKP-së janë gjetur shkelje dhe implikim në tjetërsimin e pronësisë për një sipërfaqe 27 hektarë tokë në “Gjirin e Lalëzit”, në bregdetin e Durrësit. Në vendimin e dhënë nga Agjencia e Pronave, sipas kallëzimit të datës 19 shkurt 2009 depozituar në Prokurorinë e Tiranës, Tunxh Vatnikaj ka firmosur “kthimin e pronës” për persona, të cilët sipas të gjitha dokumenteve, nuk janë pronarë të tokës, që pretendohet me dokumente autentike nga familja Preza. Sipas hetimeve, vendimi që jep 27 hektarë tokë në “Gjirin e Lalëzit” është firmosur vetëm një ditë para se Tunxh Vatnikaj të shkarkohej nga qeveria, në fillim të vitit 2009, me argumentin e shkeljeve administrative gjatë kryerjes së detyrës. Ndërkohë, dosja e tretë në ngarkim të ish-krerëve të AKP-së është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës për mbivendosjet e pronave në zonën e “Malit të Robit”.

Hetimet

Numri i çështjeve penale në hetim për abuzime me pronat në Prokurorinë e Tiranës duket se po rritet nga dita në ditë. Krahas mbivendosjeve të pronave në komunat periferike të kryeqytetit, vëmendje po u kushtohet edhe abuzimeve me pronat në zonat bregdetare kryesisht në qytetet e Durrësit dhe Kavajës. Prokuroria e Tiranës ka filluar verifikimet për mbivendosjen e pronave në zonën e “Malit të Robit” në Komunën Golem Kavajë. Dyshohet se ish-krerët e AKP-së kanë tjetërsuar një pronë dhjetëra hektarësh. Prona figuronte në emër të familjes çela, e cila ishte njohur si ish-pronare. Zyrtarët e AKP-së, duke qenë se kjo familje nuk po interesohej për pronën në fjalë, dyshohet se kanë filluar tjetërsimin e saj. Fillimisht kanë “rregulluar” dokumentet duke ia kthyer pronën familjes çela dhe më pas e kanë tjetërsuar duke ua “shitur” biznesmenëve të ndërtimit. Sipas burimeve të Prokurorisë së Tiranës mësohet se familja çela nuk ka qenë e interesuar për këtë pronë, ndërsa në “lojë” kanë hyrë zyrtarët e AKP-së. Burime nga prokuroria kanë deklaruar se tre persona janë të dyshuar për këtë mbivendosje, një ish-zyrtar dhe dy topografë. Këta të fundit janë marrë në punë vetëm për të firmosur këtë mbivendosje dhe më pas janë shkarkuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›