Biznes i madh me 5 milionë lekë xhiro
Fabiola Çela
Bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 5 milionë lekësh në vit do të klasifikohen si biznese të mëdha. Vendimi është marrë nga Ministria e Financave pas kërkesës së tatimeve për uljen e pragut të skemës së TVSH-së. Me këtë vendim pritet të rritet ndjeshëm numri i bizneseve që do të futen në skemën e TVSH-së, e për rrjedhojë edhe të ardhurat në arkën e shtetit.
Debati
Gati një muaj më parë administrata tatimore i propozoi Ministrisë së Financave që të ulte pragun për futjen e bizneseve në skemën e TVSH-së. Aktualisht bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 8 milionë lekësh klasifikohen si biznes i madh. Ndërsa sipas propozimit të tatimeve, ky prag duhet të jetë 4 milionë lekë. Por Ministria e Financave nuk e ka pranuar këtë nivel pragu. Pas shumë diskutimesh, Ministria e Financave vendosi që bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 5 milionë lekësh do të klasifikohen si biznes i madh.
Investigimi
Prej kohësh tatimet kanë nisur një investigim në terren për bizneset dhe nga investigimi ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm biznesesh abuzonin me deklarimin e xhiros vjetore. Sipas tatimeve, nga investigimi tatimor janë zbuluar rreth 3500 biznese me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe që sigurisht kanë raportuar më pak. Statusi i tyre do të ndryshojë që në fillim të vitit tjetër. Sipas zyrtarëve të administratës tatimore, nga investigimi që kanë bërë del se nuk është reale shifra e deklaruar në deklaratat që biznesi i vogël ka dorëzuar në mars. Rreth 10% e tatimpaguesve të biznesit të vogël në gjithë Shqipërinë doli me xhiro mbi 2 milionë lekë. Pas investigimeve, në gjithë territorin dolën të paktën 3500 subjekte që janë kontingjente gati për të kaluar në biznes të madh, të cilët nga investigimet e inspektorëve tatimorë e kanë kaluar atë shifër që kanë deklaruar në pushtetin lokal me 2-3 milionë lekë xhiro. Por ulja e pragut për futjen e bizneseve në skemën e TVSH-së pritet të rrisë ndjeshëm jo vetëm numrin e bizneseve të mëdha, por edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Kjo, pasi të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar zënë një peshë kryesore në buxhetin e shtetit.
Të ardhurat
Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, deri në fund të muajit gusht, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 195.03 miliardë lekë, ose rreth 8.6% më pak se parashikimi, dhe 5.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 180.4 miliardë lekë, ose 7.4% më pak se parashikimi; krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato janë rreth 6% më të larta. Ndërsa shpenzimet totale deri në fund të muajit gusht arritën në 242.5 miliardë lekë, ose 6.7% më pak se parashikimi; krahasuar me janar—gusht 2008 shpenzimet rezultuan 23.3% më të larta. Shpenzimet korente rezultuan me 7.3% më pak se parashikimi dhe 18.4% më shumë se viti i kaluar, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 5.1% më pak se parashikimi dhe 55.7% më shumë se viti i kaluar. Si pasojë e efekteve që dha kriza në ekonominë vendase, qeveria u detyrua të bëjë disa ndryshime në buxhetin e këtij viti. Ajo çka bie në sy është ulja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Qeveria ka kryer edhe një rishpërndarje të shpenzimeve. Ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë nga qeveria, këtë vit rritja ekonomike do të jetë 4.8 për qind. Ndryshimet u miratuan vetëm pak kohë më parë nga qeveria.