E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sudentët e Infermierisë kërkojnë vlefshmërinë e diplomave

Autori i Lajmit: red.
Studentët e Degës së Infermierisë në Shkollën e Lartë Profesionale (SHLP), pjesë e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të Durrësit, kërkuan dje barazimin e diplomave të tyre me ato të fakulteteve të tjera të këtij universiteti. “Dega e Infermierisë ka 135 studentë që kryejnë një cikël 3-vjeçar studimesh, krejt ndryshe nga tetë degët e tjera me cikël 2-vjeçar të SHLP-së në këtë Universitet", tha kryetarja e Qeverisë Studentore, Miranda Hallulli. Ajo shtoi se studentët e Durrësit kërkojnë kthimin e kësaj dege në një Fakultet të Shkencave të Aplikuara, çka mundëson njohjen e diplomave të tyre në tregun e punës. Sipas të njëjtit burim, rektorati dhe stafi akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu” e kanë mbështetur nismën e studentëve dhe tashmë kërkesa e tyre është paraqitur në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Hallulli tha se në vitin e tretë dhe të fundit të Degës së Infermierisë përgatiten 28 studentë. Universiteti “Aleksandër Moisiu” është hapur në vitin akademik 2006-2007. Në tre fakultetet dhe në SHLP-në pranë tij studiojnë rreth 3500 studentë.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›