E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshentët, të prekur nga trauma e dhëmbëve

Autori i Lajmit: red.
Edukimi shëndetësor mbi traumat e dhëmbëve, por edhe pasojat e tyre, duhet të jetë pjesë e programeve të veçanta për moshat 6-18 vjeç, sipas një studimi të kryer nga specialistë të kësaj fushe. "Traumat aksidentale të dhëmbëve prekin çdo grup-moshë nga 6-18 vjeç, duke shkaktuar një akses të lartë për dhëmbët frontalë të nofullës së sipërme", sqarojnë specialistët e shëndetit dentar të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës. Studimi i tyre tregon se prevalencën më të madhe ndaj frakturës e kanë këndet e dhëmbëve dhe më pak sipërfaqja e tyre. Aksesi i traumës është më i shprehur në grup-moshën 10-14 vjeç për djemtë, ndërsa për grup-moshën 14-18 vjeç predispozicioni është afërsisht i njëjtë për dy gjinitë si djemtë dhe vajzat. Pas traumës, dhëmbët kanë një gjendje vitale, e cila duhet menaxhuar me kujdes të veçantë. Për këtë, specialistët rekomandojnë që nxënësit me trauma të dhëmbëve duhet të kenë një depistim dhe trajtim të kujdesshëm me llak të fluoruar çdo 6 muaj. Sipas një studimi të kryer në Tiranë, gjatë të cilit u vëzhguan tre grup-mosha 6-10 vjeç, 10-14 vjeç, 14-18 vjeç me një numër total të depistuar 33.876 nxënësish, dhëmbët pësojnë fraktura në disa rrethana që favorizojnë këtë fenomen. Frakturat e dhëmbëve janë pasojë e traumave, që ndodhin në sistemin dentar parësor ku ka një lidhje midis traumës si shkak dhe frakturës si pasojë. Këto aksidente traumatike sjellin modifikime estetike funksionale të dukshme në dhëmbë. Traumat aksidentale subjektive përkojnë me traumat e autoshkaktura, ndërsa ato të provokuara përkojnë me ndërhyrjen e një faktori ekstrem. Specialistët dentarë kanë marrë parasysh vetëm rastet e frakturave nga traumat aksidentale në dhëmbë të shëndoshë, për shkak të mungesës së një studimi masiv për të gjithë nxënësit e Tiranës. "Me anë të këtij studimi synojmë të publikojmë tregues të ndryshëm të frakturave të dhëmbëve frontalë në tre grup-mosha nga 6-18 vjeç, gjë që do të shërbejë si pikënisje për studime të ardhshme në shërbimin pedodontik", pohojnë specialistët. Për çdo grup-moshë u observuan 11.292 nxënës, ndërsa depistimi u shtri në të gjitha shkollat 9- vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Për çdo mjek pedodont u përgatit një metodikë e detajuar, ku u observua sistemi dentar frontal për të përcaktuar disa elementë që e shoqërojnë këtë patologji traumatike. Nga të dhënat rezulton se indeksi i prevalencës së personave me frakturë është e lartë dhe më e lartë në moshën 10-14 vjeç dhe 14-18 vjeç, përkatësisht 3.14 për qind dhe 2.16 për qind. Indeksi i dhëmbëve të frakturuar tek personat me frakturë të dhëmbëve është afërsisht i njëjtë për tre grup-moshat; 1.13, 1.0, 1.11.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›