Mbledhja e Këshillit të Imunitetit, mungon Xhaçka, avokati: Ministrja nuk ka përfituar pasuri shtetërore, nuk mund t’i hiqet mandati

Ka nisur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet për shqyrtimin e kërkesës së PD për heqjen e mandatit të deputetes dhe Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, pas akuzave të opozitës se burri i saj ka përfituar nga qeveria si investitor strategjik. Ndonëse në seancën plenare të 7 korrikut, pas kërkesës së 14 deputetëve demokratë për mocion për heqjen e mandatit të ministres, kryetarja e Këshillit Lindita Nikolla tha se në mbledhjen e sotme do të ishte e pranishme Olta Xhaçka, kjo e fundit ka vendosur të përfaqësohet nga avokati i saj. Ky i fundit ka deklaruar se Olta Xhaçka nuk ka përfituar pasurit të shtetit dhe pushtetit vendor.
“Olta Xhaça rezulton se nuk ka fituar pasuri të shtetit dhe pushtetit vendor. Nuk rezulton e provuar se rasti i Xhaçkës është në kushtet e pikës 3 të nentit 70 të Kushtetutës. Vetëm kur deputeti vetë përfiton. Vetëm me këtë shkelje kushtetutbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese për të hequr mandatin e deputetit. Olta Xhaçka nuk ka përfituar asgjë nga ndonjë pasuri e shtetit. Gjykata Kushtetuese ka thënë se kërkesa për heqjen e mandatit mund të dërgohet vetëm kur bëhet fjalë për vetë deputetin, kur ai është përfitues.Duhet të bëhet një verifikim nga ana formale duke marrë parasysh edhe vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese që thotë se nëse nuk është vetë deputeti që përfiton atëhetë ajo nuk ka juridiksion që ta shqyrtojë një kërkesë të tillë. Pyetja duhet të jetë: A ka përfituar ndonjë pasuri deputetja Olta Xhaçka nga organet e shtetit dhe organet e pushtetit vendor? Ajo nuk ka ushtruar vetë ndonjë veprimtari përfituese nga pronat e shtetit dhe nuk rezulton e provuar se ajo ka përfituese. Pra, rasti i saj nuk shkel nenin 70, pika 3, e Kushtetutës”, tha avokati.
Në nisje të mbledhjes u caktuan 2 relatorë, nga opozita Gazment Bardhi dhe nga mazhoranca Klotilda Bushka. Por mbledhja ka nisur me diskutime mes Bardhit dhe kryetares së Këshillit, Lindita Nikollës pasi sipas demokratit, ajo nuk e thirri mbledhjen kur u kërkua nga gjysma e deputetëve duke shkelur sipas tij rregulloren.
“Në datën 5, gjysma e anëtarëve të këshillit të rregullores kanë kërkuar thirrjen. Ju e keni injoruar kërkesën, në kundërshtim me pikën 6 të nenit 13. Në kërkesën tonë kemi kërkuar mbledhjen të mërkurën dhe kjo ka qenë në përputhje me nenin, jo vetëm nuk kemi marrë përgjigje por ju cakton një datë tjetër. Këto shkelje nuk duhet të përsëriten më. Sa i takon çështjes tjetër, unë shikoj në objekt që në datën 1 korrik, 14-15 deputetë të tjerë që nuk kanë nënshkruar kërkesën e parë kanë kërkuar fillimin e procedurës për përcjelljen e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, gjykoj që kërkesa e datës 1 korrik është një kërkesë që mbetet pa objekt, sepse ne e kemi nisur procedurën parlamentare”, tha Bardhi.
Nikolla ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë shkelje të rregullores. “Rregullorja përcakton që për të thirrur mbledhjen vendos kryetari i kuvendit ose ½ e anëtarëve. Unë kam ushtruar detyrën që me jep rregullorja dhe kam caktuar datën dhe orën”, tha Nikolla.
/rtsh.al/