Rama, Kovaçevski e Vuçiç mbledhje online për Open Balkan: Agjenci e përbashkët për tërheqjen e investimeve, në korrik takim për energjinë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar sot (8 korrik) një takim online. Takimi kishte në fokus intensifikimin e bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive në furnizimin me ushqim dhe energji, si dhe situatën e zjarreve në të treja vendet.
Presidenti Vuçiç ka publikuar në rrjetin social Instagram foto nga takimi online, ku ka shkruar se në mes të korrikut do të mbahet në Tiranë një takim mes grupeve të punës për çështjet e energjisë.
“U pajtuam që ky manifestim i madh dhe unik, i cili besojmë se do të kthehet në një traditë të mirë miqësore, është gjithashtu një promovim i jashtëzakonshëm i tri vendeve tona, por edhe një mundësi për prodhuesit nga rajoni që të bashkohen dhe të prezantojnë produktet e tyre më të mira dhe ekskluzive. Një takim mes grupeve të punës do të mbahet në Tiranë në mes të korrikut për të diskutuar për çështjet e energjisë, sigurisë ushqimore dhe ekonomike”, ka shkruar Vuçiç.
Ndërsa qeveria e Maqedonisë së Veriut në një njoftim për media, bën me dije se Rama, Kovaçevski dhe Vuçiç kanë rënë dakord për formimin e grupeve të përziera të punës për temat e krizës dhe me qëllim formimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur.
“Në fillim të takimit, kryeministri Kovaçevski u falënderua për mbështetjen e hapur që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Rama shprehën në lidhje me propozimin e modifikuar francez, duke njoftuar se propozim-kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian (BE), të paraqitur nga presidenca franceze me BE-në, qeveria e përcolli në Kuvend për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtejshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut“, thuhet në njoftimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit, tre liderët e nismës Ballkani i Hapur vunë theksin te rëndësia e aktiviteteve të ndërmarra për të përfituar nga lidhja rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, e cila tashmë ofron përfitime ekonomike për të gjithë qytetarë.
Sipas njoftimit, Rama dhe Vuçiç, kanë ripërsëritur mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra nga Kryeministri Kovaçevsi, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Sa i përket panairit të madh të verërave, ushqimit dhe turizmit në Serbi, të tre liderët pohuan se përgatitjet po shkojnë mire. Kantinat dhe prodhuesit e verës nga të tre vendet do të kenë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre para mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.
Theksohet se në takim i pranishëm ishte edhe zv/kryeministrat e Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane dhe ai për çështje ekonomike, Bojan Mariçiq dhe Fatmir Bitiqi, koordinatori kombëtar për Ballkanin Perëndimor, Marjan Zabrçanec, drejtori i SH.A. “Elektrocentralet e Maqedonisë së Veriut”, Vasko Kovaçevski dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski.
/rtsh.al/