Mbledhja e Këshillit të PD për Presidentin, Spiropali: PS nuk njeh asnjë vendim që buron nga shkulmi i një ‘non grata’

Ndërsa Këshilli Kombëtar i PD i thirrur nga Sali Berisha mandatoi Komisionin e Rithemelimit për të zgjedhur përfaqësuesin që do të negociojnë me PS dhe partitë e tjera për emrin e presidentit të ri, ka ardhur edhe reagimi i parë nga mazhoranca. Ministrja e Shtetit Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali ka bërë të qartë se PS nuk do të negociojë dhe as të pranojë kandidatë të cilët vijën nga instanca të Sali Berishës pasi është “non grata” nga SHBA.
“Nëse është e vërtetë që Saliu paska mbledhur një kuvend për të vendosur kusht që hyjnë në negociata për Presidentin e ri vetëm nëse pranohet kandidati i tyre, atëherë ngushëllime kuvendarëve në fjalë dhe një kujtesë nga ana jonë: Grupi Parlamentar Socialist nuk njeh asnjë vendim të asnjë instance që buron nga shkulmi anti-amerikan i një personazhi të listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka ndërmend të ketë asnjë kontakt me atë burim të së keqes për Shqipërinë”, shkruan Spiropali
/rtsh.al/