E Enjte, 5 Nëntor 2026

Raporti i “Reporterët pa Kufij”, Fuga: Askush s’cenon lirinë e medias, koha kur digjeshin gazetat nga sigurimi ka marrë fund

Drejtori i Agjencisë për Median dhe Informimin, Endri Fuga ka reaguar lidhur me lirinë e shprehjes dhe medias në vend pasi Organizata “Reporterët pa Kufij”, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, e radhiti Shqipërinë në listën e vendeve problematike përsa i përket lirisë së shtypit. 

Sipas Fugës në Shqipëri liria e shprehjes dhe e medias janë të garantuara vendosmërisht dhe nuk ka asnjë lloj presioni, në asnjë formë, nga kjo qeveri drejt ndonjë gazetari apo mediave.

Fuga shprehet se ditët e vjetra të gazetave që digjeshin nga agjentët e sigurimit i përkasin së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë me qeverinë Rama.

“Për fat të mirë, në Shqipëri liria e shprehjes dhe liria e medias janë të garantuara vendosmërisht dhe nuk ka asnjë lloj presioni, në asnjë formë, nga kjo qeveri drejt ndonjë gazetari apo mediave.

Ditët e vjetra të gazetave që digjeshin nga agjentët e sigurimit, llogaritë bankare të televizioneve bllokoheshin nga autoritetet tatimore, asetet e pronarëve të mediave shkatërroheshin nga individë të paidentifikuar apo reporterë që qëlloheshin me armë nga policia gjatë protestave, i përkasin së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë me qeverinë Rama.

A është çdo gjë përfekte? Sigurisht që jo! Por incidente të vogla verbale mes gazetarëve dhe politikanëve ndodhin jo vetëm në Shqipëri, por kudo, madje edhe në vende që renditen shumë më lart se ne, në të njëjtin raport të @RSF_inter, edhe pse askush nuk i përmend dhe as i konsideron. Sa i përket rastit të përmendur, është më tepër çështje respekti për njëri-tjetrin. Kur dikush bën një pyetje, duhet ta lërë edhe tjetrin të përgjigjet. Ky është një rregull bazë”, shprehet Fuga.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›