E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e fundit e qeverisë, Berisha bën bilancin e 8 viteve

 Në një fjalim të gjatë kryeministri në detyrë, vlerëson qeverisjen e demokratëve

mbledhja e qeveriseNën një vëmendje të lartë mediatike kryeministri në largim, Sali Berisha, mblodhi dje për herë të fundit kabinetin e tij qeveritar. Në një fjalim i cili zgjati përreth 100 minuta Berisha bëri një pasqyrë të disa prej sukseseve të arritura në këto tetë vite të demokratëve. Që në nisje të fjalës së tij, Berisha tha se dy kanë qenë objektivat kryesore të demokratëve. Dy objektiva ishin dhe mbeten, së pari integrimi i Shqipërisë në institucionet europiane dhe euro-atlantike dhe së dyti objektivi tjetër Shqipëria vend i zhvilluar, u shpreh Berisha.

Arritjet

Duke u ndalur me radhë në të gjitha fushat, ku sipas Berishës janë shënuar arritje, kreu aktual i qeverisë nuk nguronte të bënte krahasimin me vitin 2005, kohë kur demokratët morën drejtimin e vendit. Sipas tij, integrimi evropian, infrastruktura rrugore dhe energjia ishin sektorët më problematikë në vitin 2005, por sot sipas Berishës, gjendja e tyre është përmirësuar ndjeshëm. Duke rikthyer edhe një herë në vëmendje votimin e tre ligjeve, kryeministri Berisha nuk i kurseu kritikat për mazhorancën e re, atëherë opozitë e cila sipas Berishës bëri gjithçka për të bllokuar integrimin. Shqiptarët duhet ta dinë, se për asnjë vend, nuk ka ndodhur ndonjëherë ta pengohen për tre ligje, për të cilat nuk kishte vakum. Po, ka ndodhur kur është bërë fjala për krime kundër njerëzimit, dënimet e tyre etj, por jo për ligje për të cilat nuk ekzistonte asnjë vakum në legjislacionin shqiptarë. Pavarësisht nga kjo më e paimagjinueshmja ishte që shqiptarët të kundërshtonin votimin e këtyre ligjeve, u shpreh Berisha.

Dorëheqja

Kryeministri në detyrë tha se në një moment të favorshëm do ti paraqes dorëheqjen e kabinetit, Presidentit të Republikës, ndërsa siguri se pas saj do të vijojë të jetë qeveri në detyrë deri sa të nis zyrtarisht nga puna qeveria e re. Kjo është mbledhja e fundit, nuk do të ketë mbledhje tjetër. Unë, në përputhje me detyrimet e mia, në momentin që do ta gjykoj më oportun dhe të afërt do ti paraqes Presidentit të Republikës dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndrojmë si qeveri në detyrë deri në momentin që qeveria tjetër, në përputhje me Kushtetutën, të betohet te Presidenti i Republikës, u shpreh Berisha. Ndërkohë ashtu siç ishte njoftuar ditë më parë me vendim të qeverisë janë shkarkuar nga puna 31 zëvendësministrat e qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›