E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhja e grupit parlamentar të PD/Berisha: Pagat në Shqipëri po parakalojnë ato të vendeve të BE

10-07-2012 / Gazeta 55

Rriten investimet e huaja – në pritje janë dy projekte gjigande, ai i gazsjellësit TAP si dhe i Kaskadës së Devollit. Kryeministri theksoi gjithashtu se rritja e fundit e pagave dhe pensioneve u bë pa marrë borxh, por nëpërmjet të ardhurave nga buxheti i shtetit

Në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar dje, kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria rriti rrogat dhe pensionet pa rritur borxhin, në një kohë kur rajoni i ka ulur me 40 pwr qind ato, duke mbajtur kështu premtimin.
Sipas kreut të qeverisë, ritmi i rritjes së pagave dhe pensioneve bën që Shqipëria të parakalojë disa prej vendeve anëtare të BE. “Ky ishte përmbushja e njërit prej premtimeve më madhore të kësaj mazhorance, e cila me këtë vendim mbetet njëra nga më të paktat qeveri në Evropë, e më gjerë, që rritën pensionet. Rritja e rrogave është bërë dhe bëhet duke mos marrë qoftë edhe një qindarkë borxh për rritjen e tyre. Tremujori i parë i vitit regjistrohet si më të vështirët, për disa arsye madhore, njëra prej të cilave ishte dimri i thellë që paralizoi të gjithë Shqipërinë, ose në 70 për qind të sipërfaqes së saj. Faktori i dytë ishte situata  e rëndë e krijuar nga thatësira, ku ndonëse vendi mbulohej nga metra dëborë, digat kanë qenë në nivelet më të ulëta historike të tyre dhe prodhimi i energjisë, nga marsi i vitit të kaluar, ne marsin e këtij viti, ka qenë më i ulët se kurrë, gjithsej 3.1 miliardë kilovat/orë, kundrejt 7.2 miliardë kilovat/ore që ishte në një vit rekord, vitin pararendës dhe kundrejt rreth 6 miliard kilovat/orë që është prodhimi mesatar i digave. Të gjithë këta faktorë dhe kriza e thellë që pllakosi vendet përreth, natyrisht, krijuan një vështirësi serioze në 3 mujorin e parë, por vështirësi e cila po kapërcehet në mënyrën më të sigurt në tremujorin e dytë e të tretë. Është kjo performancë e këtyre tremujorëve, që bëri të mundur të marrim vendimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve, në përputhje të plotë me premtimin e bërë. Rikujtoj këtu se vende të zhvilluara në rajon, këtë vit, kanë vendosur të ulin me 40 për qind rrogat e pensionet. Rikujtoj këtu se vendi fqinj po bën shkurtimet më drastike për të përballuar me shpenzimet buxhetore nevojat e tij. Rikujtoj këtu se kjo rritje bëhet duke mos rritur borxhin dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Me këtë rritje, sërish Shqipëria le pas, bazuar në rrogën mesatare, dy vende të Bashkimit Evropian dhe në trendin që duket, do të lerë edhe më shumë se kaq, vitin që vjen”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë iu referua dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend dhe rritjen e investimeve vendase dhe të huaja. Kryeministri citoi raportin e botuar nga Organizata Botërore e Tregtisë, që është edhe institucioni më serioz dhe më prestigjioz për evidentimin e investimeve të huaja direkte, i cili shpall se Shqipëria, edhe në vitin 2011, mori investime direkte të huaja më shumë se çdo vend tjetër i rajonin, krahasuar me proporcionin, pra shumë prej 1 miliardë e 30 milionë dollarë. Berisha theksoi se dy nga projektet më të mëdha për vendin janë gazsjellësi TAP dhe Kaskada e Devollit.
“Këto investime, para së gjithash, janë dëshmi e mjedisit të favorshëm të krijuar për investimet e huaja, përmirësimit të vazhdueshëm të klimës së biznesit, funksionimit të ligjit dhe të sistemit tatimor të vendit, janë dëshmi e një barre burokratike gjithnjë e në zvogëlim që investitorët e huaj gjejnë në Shqipëri. Por 1 miliardë dollarë investime janë gjithashtu dëshmi e krijimit të dhjetëra e mijëra, në mos më shumë, vende pune në këtë vend, gjatë vitit që shkoi. Një vend pune zakonisht konvertohet me 10 mijë euro, por kjo varet sipas sektorit. E vërteta është se Shqipëria, në sajë të investimeve të fuqishme që merr, është vendi që ka një papunësi në zvogëlim, apo të kontrollueshme. Duhet të kemi parasysh se, në dallim nga vendet e tjera, ne kemi 2 faktorë që ndikojnë fuqishëm në problemin e punësimit; faktori i parë janë qytetarët që hyjnë në moshën e punësimit në qytete, faktori i dytë është lëvizja e lirë dhe fluksi shumë i madh që vjen nga zonat rurale, në të cilat vendi ka sot rreth 46 për qind të popullatës. Ne duhet të jemi të përgatitur që ky faktor do të veprojë fuqishëm, të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme. Sido qoftë, pavarësisht nga veprimi i fuqishëm i tij, falë investimeve të huaja, këto 3 vitet e fundit, në më shumë se 1 miliardë dollarë - dhe këto janë vetëm investime të huaja dhe nuk përfshijnë investimet e sektorit privat shqiptar, i cili përllogaritet të jetë afërsisht 2 herë më i madh -, pra falë këtyre investimeve, janë krijuar dhe po krijohen dhjetëra mijëra vende pune. E vërteta është se, në Shqipëri, ka një ulje të moderuar të papunësisë, ose kontroll rigoroz të saj. Dy janë projektet gjigande që fillojnë vitet e ardhshme, secili prej tyre me mbi 1 miliardë euro investim; njëri prej tyre, në rast se vendoset përfundimisht, është Gazsjellësi Trans-Adriatik dhe tjetri që është i vendosur përfundimisht, Kaskada e Devollit. Ndërkohë, qeveria po konsideron investime të tjera të mëdha dhe krijimin e zonave industriale, zonave ekonomike, të cilat janë mirëpritur nga  bizneset e vendeve të mëdha të Azisë, Kinës, e vendeve të tjera”, tha kryeministri Berisha duke theksuar mw tej se, qeveria po përgatit një seri masash të tjera, në mënyrë që investimet e huaja për vitet e ardhshme të njohin një shkëputje të re.
Kjo konsiston nw krijimin e zonave industriale, zonave ekonomike, të cilat janë mirëpritur nga bizneset e vendeve të mëdha të Azisë, Kinës, e vendeve të tjera.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›