E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhja e pengjeve, bankat: Të ngrihet seksion i veçantë në gjykata

14/07/2011  Propozohet edhe trajnimi i gjyqtarëve lidhur me ekzekutimin e kolateralit

Për të marrë mbrapsht pengjet e lëna në bankë nga debitorët, ekspertët bankarë propozojnë ngritjen e një seksioni të veçantë pranë gjykatave të Faktit për çështjet e ekzekutimit të garancive. Sipas Andon Dakës, drejtor Juridik në “Credins Bank”, takimi i iniciuar nga Banka e Shqipërisë për këtë çështje shënoi një hap të çmuar përpara për identifikimin e problemeve me ekzekutimin e kolateralit dhe për propozimin e masave përmirësuese. Bankat sugjerojnë gjithashtu edhe kryerjen e trajnimeve të veçanta të gjyqtarëve për çështjet e ekzekutimit, për të formuar një trupë të specializuar në trajtimin e këtyre rasteve. Një hallkë problematike në procesin e ekzekutimit të kolateralit janë edhe zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Janë evidentuar raste kur, në mënyrë të kundërligjshme, zyrat e Regjistrimit lejojnë kryerjen e veprimeve me prona të bllokuara si garanci për kredi bankare. Ndërsa, një ditë më parë zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi theksoi problematikën e vënë re në lidhje me këtë çështje, duke nënvizuar ngritjen e sistemit të përmbaruesve privatë krahas atyre shtetërore, si një hap me rëndësi. Gjithashtu sipas saj, po përgatitet një manual në ndihmë të procesit të ekzekutimit të titujve të ekzekutueshëm, nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe ata ndërkombëtarë. “Një pjesë të rëndësishme shpjeguese në të këtë manual zë dhe veprimet përmbarimore dhe çështjet praktike lidhur me ekzekutimin e kolateralit. Statistikat e deritanishme tregojnë një rritje të numrit të titujve të ekzekutimit, si dhe rritje të numrit të çështjeve të kërkuara për ekzekutim, çka tregon besim më të madh tek shërbimi përmbarimor”, - tha Kasmi. Duke shprehur gatishmërinë për realizimin e reformave në kuadrin ligjor, Kasmi tha se një pjesë legjislacioni sado cilësor mbetet pa vlerë nëse nuk zbatohet në mënyrë korrekte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›