E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshime ligjore për debitorët e bankave

14/07/2011  Fullani: Duhet unifikim i vendimeve për çështjet konfliktuale

Bode: Detyrimi i papaguar ndaj bankave arrin në rreth 20 miliardë lekë

Ekzekutimi i kolateralit ka hasur vështirësi gjithnjë e më shumë nga ana e bankave të nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë, duke parë situatën e krijuar ka organizuar një forum, ku ekspertë të fushës kanë diskutuar rreth mundësive të zgjidhjes dhe gjetjes së rrugëve ligjore për ekzekutimin e kolateralit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka theksuar se është koha e marrjes së masave të tjera për përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Aktualisht ka një rritje me 15% të kredive me probleme. Fullani theksoi se ekzekutimi i kolateraleve ka qenë shqetësim dhe vështirësitë nuk janë vetëm ligjore, por edhe në saje të natyrës burokratike të institucioneve të përfshira. “Duhet unifikim i vendimeve për çështjet konfliktuale, të nxisim paraqitjen e çështjeve në gjykatën e lartë, të bëhet rishikim kuadrit ligjor për të riparuar vështirësitë dhe plan veprimi për ekzekutimin e kolateralitit”, tha ai. Nga ana e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode tha se besimi i bankave për të bërë biznes në mënyrë të sigurt dhe efeciente nuk duhet të cenohet. Ai u shpreh me tone të ashpra kundër pengesave që hallkat e sistemit të drejtësisë krijojnë për ekzekutimin në kohë të kolateralit nga ana e bankave. “Totali i detyrimit të papaguar nga debitorët e që janë çuar në procesin e ekzekutimit të kolateralit arrin në rreth 20 miliardë lekë. Ndonëse vlera e kolateralit është gati 2 herë më e lartë se vlera e detyrimit, dhe më se e mjaftueshme për të likuiduar këto detyrime, pasiguria dhe vonesat në sistemin e ekzekutimit e bëjnë kompensimin për bankat një objektiv gjithnjë e më të vështirë për ta kapur. Këto probleme lidhen me cilësinë e shërbimit të përmbarimit gjyqësor, me pasaktësi apo mungesë informacioni nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me ngathtësi apo apati në koordinimin midis hallkave të ekzekutimit të procesit, apo dhe me vetë gjyqësorin në zbatimin e ligjit procedural”, tha Bode. Sipas tij, qeveria është gati për të ndërmarrë çdo përmirësim ligjor për t’i dhënë sistemit bankar garancitë e nevojshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›