E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e qeverise kryeministri Berisha vleresime per Censusin

Kryeministri, Sali Berisha dha vlerësime maksimale për të dhënat e Censusit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kreu i ekzekutivit, Berisha u ndal në rezultatet e këtij rregjistrimi, të bëra publike vetëm pak minuta përpara zhvillimit të kësaj mbledhje.
Gjithashtu në këtë takim, kryeministri Berisha u ndal dhe në lëvizjen e lirë të shqiptarëve, duke bërë me dije hapjen e një pike të re kufitare Cerem-Vuthaj, në Tropojë, lëvizje kjo drejt Malit të Zi. Po kështu, ndalur në investimet në ifrastrukturën rrugore, kreu i qeverisë informoi mbi ecurinë e punës për dy by-passet e rëndësishme siç është ai i Fierit dhe i Vlorës. Por në këtë mbledhje u trajtua nga ana e kryeministrit dhe ndërtimi i hidrocentraleve, pasi interesi për një çështje të tillë e vendos vendin tonë në epiqendër, për shkak të burimeve të shumta ujore.
Censusi
“Të dhënat nga ky rregjistrim i japin përgjigje të gjithë atyre të cilët kanë qenë agresivë ndaj lëvizjes së lirë dhe procesit të urbanizimit të kombit. Ky është procesi më i shpejtë që një komb mund të ketë patur ndonjëherë. U gëzova shumë për rezultatin e këtij regjistrimi, i cili dëshmon se aktualisht 53.7% e shqiptarëve jetojnë në zona urbane shqiptare, dhe 46. 3 prej tyre në zona rurale”, u shpreh kryeministri Berisha, lidhur me një çështje të tillë. Sipas tij përmes këtij regjistrimi vihet në dukje fakti se vendi po shkon drejt një shndërimi të rëndësishëm social.
Infrastruktura rrugore
Kryeministri Berisha informoi në mbledhjen e qeverisë për by-passin e Fierit u përgatit një projekt i dytë, e kjo pasi projekti i parë nuk mund të zbatohej, për shkak të veprave kulturore e arkeologjike që nuk ishin përfshirë në të. “I një rëndësie shumë të madhe është dhe by-passi i Vlorës, i cili po shkon drejt konkretizimit, është jo pak i kushtueshëm, kap shifrën rreth 40 milion euro. Financimi i tij është realizuar 100%, ndaj projekti do t’i kalojë parlamentit për miratim. Megjithatë duhet të ulemi me Bashkinë e Vlorës për të diskutuar mbi dy projekte të tjera për të zgjidhur përfundimisht trafikun në këtë qytet”, vlerësoi, Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›