E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlore vidhet me arme zyra e arketimeve ne DSHTRR

Mesditën e sotme, rreth orës 13.30, dy persona të armatosur me pistoleta, e të kamufluar me kasketa motori, i janë drejtuar zyrës së arkëtimeve, pranë Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor në Vlorë, e cila ndodhet në lagjen 11 janari në periferi të qytetit.
Nën kërcënimin e armës ata kanë mundur të marrin prej andej një sasi të konsiderueshme parash, më konkretisht të gjitha arkëtimet, vlera e të cilave mendohet të jetë rreth 20 milion lek të vjetër, gjithsesi drejtues së këtij institucioni konfirmojnë se do të bëhet bilanci i faturave për të përcaktuar saktësisht vlerën e parave të vjedhura.
Sipas dëshmitarëve okular në vendgjarje, dy perosnat e armatosur kanë ardhur pranë insitucionit me motor, e fillimisht kanë qëlluar me armë, në drejtim të rojes, por fatmirësisht ai nuk është prekur nga plumbat. Pasi kanë qëlluar rreth tre herë jashtë zyrës, ato janë futur në ambientet e brendshme ku ndodheshin katër punonjësit e shërbimit dhe arkës dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë paratë, duke qëlluar sërish në momentin e daljes.
Më tej janë larguar me motor, por ende nuk janë ndaluar nga policia, e cila ka mbërritur në vendgjarje.
Aktualisht efektivët e policisë së Vlorës po kryejnë ekspertimet përkatëse, duke marrë dëshmitë e punonjësve të insitucionit, si dhe të dhënat e tjera, përfshi edhe gëzhojat e dala nga të shtënat.
Nga grupi hetimor, saktësohet se kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›