Mblidhet Këshilli Bashkiak, Agolli prezanton planin Rregullues të Tiranës
TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës ka nisur mbledhjen e radhës, pika më e rëndësishme e të cilës është miratimi i Planit Rregullues të kryeqytetit.
Administratori i bashkisë, Dritan Agolli po para këshillit prezanton planin rregullues hartuar nga kompania "Urbaplan".
Sipas tij, plani i ri është hartuar në mënyrë të tillë që t'i përgjigjet zhvillimit që ka marrë Tirana, pritjes së popullsisë së ardhshme dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
Duke prezantuar planin Agolli ka dekaruar se me realizimin e planit, pritet që të sigurohet strehim për rreth 400 mijë banorë të rinj, duke dendësuar lagjet ekzistuese, në masën rreth 1800 ha, që janë territore në zhvillim. Ndërkaq, në këtë kuadër pritet transformimi i 14 qendrave dytësore dhe krijimi i pesë qendrave të reja dytësore.
Sa i përket sektorit ekonomik dhe zhvillimit, Bashkia e Tiranës premton krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës. Nga këto, është parashikuar që 132 mijë vende pune të hapen në privat dhe 68 mijë në sektorin publik. Gjithashtu, në kuadër të planit të ri rregullues pritet transformimi i ish-zonave industriale në zona shumë funksionale.
Ndërsa institucione dhe shërbime komunitare është kategoria e tretë, e paraqitur në hyrjen kryesore te pavijonit të ekspozimit të Planit të ri Rregullues për Tiranën. Kështu, pritet zgjerimi i katër zonave spitalore kryesore, ndërtimi i një poliklinike për çdo zonë, krijimi i kampusit të ri universitar si dhe ndërtimi i plot 17 zonave të reja. Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe aplikim bonusi "transferim i të drejtës së ndërtimit", për shërbimet publike.
Hapësirat publike dhe të gjelbra janë një pikë tjetër e këtij plani, duke shpallur zona të mbrojtura Parkun e Liqenit, Parkun e Liqenit të Farkës, Parkun e Liqenit të Paskuqanit dhe parkun e Liqenit përgjatë lumit "Lana" dhe "Tirana". Transporti dhe lëvizja, janë kategoria e fundit e ekspozuar në Pavijon.