E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli, tregtarëve të karburanteve: Hiqni depozitat në Portin e Durrësit

Duke u nisur nga vendimi i qeverisë në muajin korrik 2007, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, u ka dërguar një letër shoqërive tregtare të hidrokarbureve që operojnë në Portin e Durrësit, duke u kërkuar zhvendosjen e tyre. Letra mban datën 27 janar 2008 dhe u drejtohet tri shoqërive hidrokarbureve, dy me pronar grekë dhe njëra shqiptar, duke u kërkuar mirëkuptim për zhvendosjen e depozitave nga Porti i Durrësit drejt Porto-Romanos, zonë bregdetare shumë afër qytetit.

Zhvendosja

Qeveria ka miratuar në mesin e vitit që shkoi vendimin "Për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve, që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre, në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit", duke vendosur 18 muaj afat për zbatimin e tij. Nisur nga kjo, ministri Ruli, duke u mbështetur edhe ndaj politikave të qeverisë për shpalljen e Porto-Romonos si zonë industriale, për ngritjen e instalimeve komplekse të depozitave bregdetare të naftës, me vendim të KRRTRSH-së, kërkoi heqjen e depozitave në port, për të shmangur në një farë mënyre ndonjë incident, pasi vendndodhja e tyre është shumë pranë qytetit. Projekti për heqjen e depozitave të naftës dhe gazit në Portin e Durrësit është i hershëm, problem, i cili në mënyrë të habitshme nuk ka marrë zgjidhje. Por duke u ndodhur përpara një mundësie incidenti, që mund të shkaktojë dëme të mëdha në jetë njerëzish, e mbi të gjitha duke reflektuar mbi tragjedinë e fshatit Gërdec, qeveria e ka marrë seriozisht zbatimin e këtij projekti, për depozitat e naftës dhe gazit. "Në këtë kuadër, në vazhdim të trajtimit të problematikës që lidhet me aktivitetin e kompanive që kanë kontrata qiraje ose emfiteoze me ministrinë për depozitat e nënprodukteve të naftës në Portin e Durrësit (sikurse janë edhe kompanitë tuaja), si dhe duke pasur në konsideratë kondicionet që lidhen me vendimin e qeverisë, do të donim t‘ju rivinim në dijeni se në sipërfaqen prej 51.7 ha në zonën e Porto-Romanos, të miratuar me vendim qeverie dhe KRRTRSH-së, janë të mundshme për t‘u vënë në dispozicion të shoqërive të interesuara për ndërtimin e depozitave bregdetare për nënproduktet e naftës (karburante dhe lëndë djegëse) edhe 3 kuadrate (N4, N5 dhe N6), gjithmonë duke respektuar kuadrin ligjor dhe procedurat në fuqi", ishte një pjesë nga përmbajtja e letrës dërguar nga ministri drejt tri shoqërive që operojnë në Portin e Durrësit. Ministri mundohet t‘i bindë shoqëritë duke u thëne se, "në rast pranimi të kërkesës, shoqëritë tuaja do të kenë përparësi në aplikimin për marrjen e "Autorizimit" për vënien në dispozicion të këtyre hapësirave në Porto-Romano". Duke qenë se, shumë shoqëri të tjera kanë interes për vendosjen e depozitave në këtë zonë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i vendos një muaj afat nga marrja e letrës, tri shoqërive në marrjen e përgjigjes. Vendimi i qeverisë për të mos lejuar më veprimtarinë e depozitimit të naftës dhe gazit në portet e vendit, prek vetëm Durrësin dhe Shëngjinin, ndërsa portet e tjera si Vlora dhe Saranda do të vazhdojnë aktivitetin e kësaj fushe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›