E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Komisionii Disiplinës për ndeshjen Laci-Flamurtari

TIRANË- Pas katër orësh mbledhje, Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ka marrë asnjë vendim për ndeshjen Laçi-Flamurtari. Ky Komision ka kërkuar që fillimisht të bëhet një hetim i plotë i ngjarjes, duke lënë pezull një çështje të mprehtë që po kalon aktualisht futbolli ynë.

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka shtyrë vendimin për ngjarjet në ndeshjen Laçi-Flamurtari, duke kërkuar fillimisht një hetim të plotë për këtë takim. Në një mbledhje maratonë, që ka zgjatur mbi 4 orë, anëtarët e Komisionit të Disiplinës nuk kanë mundur të dalin dot me një vendim, kjo edhe për shkak të vështirësisë së çështjes. Ata kanë kërkuar nga dy inspektorët që punojnë pranë këtij organi, që të bëjnë hetime në lidhje me incidentin e portierit Shpëtim Moçka, që çoi më pas në ndërprerjen e ndeshjes për 50 minuta.

Vendimi ka lënë pezull një nga çështjet më të rëndësishme aktualisht në futbollin shqiptar, kjo duke parë edhe acarimin e situatës në Vlorë. Tashmë pritet nëse Flamurtari do të zbresë në fushë në fundjavë kundër Tiranës apo do t’i qëndrojë idesë për bojkot. Ndeshja e ditës së hënë mes Laçit dhe Flamurtarit u ndërpre për 50 minuta pas goditjes në kokë të portierit Moçka. Vlonjatët kanë kërkuar fitoren në tavolinë për këtë ngjarje, duke kërcënuar me bojkot, ndërkohë që Federata duket e pavendosur për këtë.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›