E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça, afër finales

Barcelona e ka bërë një hap të madh drejt finales së Wembleyt, pasi të mërkurën e ka mposhtur Real Madridin me rezultat 0:2 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Lionel Messi e shfrytëzoi mirë përjashtimin e Pepe me kartonë të kuq, duke i shënuar dy gola. Nga Express më 27 prill 2011 në ora 23:13

Barcelona e ka bërë një hap të madh drejt finales së Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohet në Wembley. Gjiganti katalan të mërkurën mbrëma e ka mposhtur Real Madridin në Santiago Bernabeu me rezultat, 0:2, në supersfidën e parë të tyre në kuadër të gjysmëfinales së ligës më prestigjioze evropiane.

Edhe njëherë Lionel Messi dëshmoi se është shtylla kryesore e Barçës, pasi ai i shënoi të dy golat në këtë fitore për ekipin e tij.

Në fakt, gjatë pjesës së parë të dyja skuadrat aplikuan lojë monotone pa raste të mira shënimi, pasi ishin të përqendruara kryesish në mospësim të golit.

Por, gjiganti evropian Real Madrid pjesën e dytë e nisi duke e kërkuar më me ngulm golin, andaj Jose Mourinho e aktivizoi edhe qendërsulmuesin Adebayor.

Mirëpo, minuta e 61-të ishte fatale për gjigantin madrilen, sepse gjyqtari kryesor me karton të kuq e përjashtoi nga loja armën kryesore të Mourinhos, Pepen, i cili ndërhyri ashpër në Alvesin.

Ky fakt e nervozi Mourinhon, të cilin gjyqtari e largoi nga bankina, me ç’rast strategu portugez ndeshjen e përcolli vetëm nga tribuna.

Kështu Barcelona e shfrytëzoi mirë këtë komoditet duke i shënuar dy gola nëpërmjet yllit të saj, Lionel Messi.

Golin e parë Messi e shënoi në minutën e 77-të për rezultat 0:1, pasi u shërbye mjaft mirë nga Afellay.

Ndërsa Barça shtoi epërsinë e dyfishoi në minutën e 87-të, sërish nëpërmjet argjentinasit, i cili ishte i pandalshëm nga mbrojtësit e skuadrës mbretërore.

Kjo fitore i jep komoditet të madh Barcelonës, e cila në ndeshjen e kthimit - që do ta zhvillojë në shtëpi të vet - do të ketë kapital prej dy golash, derisa Real Madridi në atë takim, përpos disavantazhin, do të luajë edhe pa disa futbollistë të rëndësishëm.

Sigurisht se ky rezultat e ofron Barcelonën shumë afër finales së Ligës së Kampionëve, por për t’u konfirmuar, normalisht duhet pritur edhe ndeshjen e kthimit, e cila zhvillohet pas një jave.

Por, duhet theksuar se janë rritur gjasat që të përsëritet finalja e para dy vitesh, kur për titull të kampionit u patën ndeshur në Romë Barcelona dhe Manchester United. Ky i fundit sikurse Barça, në ndeshjen e kthimit që e zhvillon në Old Trafford ndaj Schalkes 04, do të hyjë me avantazh prej dy golave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›