E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josip Kuzhe i ftuar nderi ne 100-vjetorin e themelimit te Dinamos se Zagrebit

Ndodh që edhe festojmë. Jo vetëm kur fitojmë me Bjellorusinë, por edhe kur fitojmë nëpër klubet ku jemi apo kur ftohemi nëpër ceremoni luksoze dhe entuziaste.

Në Rumani, Elis Bakaj feston fitoren e madhe në derbin mes Dinamos dhe Steauas, ndonëse shqiptari nuk luajti si titullar. “Qentë e kuq”, siç quhen dinamovitët në vendin e tyre, arritën një sukses të madh në stadiumin “Gençea” të kundërshtarëve, duke qenë 6 pikë larg vendit të parë që mbahet nga FC Timishoara. Plot 25 mijë euro do të marrin fituesit për këtë 3-pikësh dhe natyrisht edhe Bakaj do të ketë pjesën e tij.

Në Kroaci, trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ka qenë i ftuar special në festën e 100-vjetorit të themelimit të Dinamos së Zagrebit dhe në atë festë është bashkuar me ish-trajnerin e Shqipërisë, Oto Bariç, njeriun që e rekomandoi atë në Federatën Shqiptare të Futbollit. Në ndërtesën luksoze zagrebase, dy “kuqezinjtë” ishin bujtës tek presidenti Mamiç, bashkë me lavdi të tilla si ish-sulmuesi i madh kroat, Davor Shuker. Ka jo pak vlerësime për Kuzhen në Zagreb dhe ai quhet si trajneri më sulmues i dy dekadave të fundit të blutë e Dinamos.

Në Gjermani feston edhe Altin Lala, i cili po arrin të kthehet edhe titullar në skuadrën e tij Hanover dhe festa ka të bëjë me kualifikimin e mundshëm për në Ligën e Kampionëve apo të paktën në Ligën e Europës.

Ja pra që ka festë për kuqezinjtë edhe kur ata nuk janë në fushë, ndonëse “dasma” më e bukur do të ishte një rezultat pozitiv në fushën e Bosnjë-Hercegovinës më 7 qershor në eliminatoret e Euro 2012, gjithnjë nëse ajo ndeshje do të luhet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›