Kastrati pajtohet me tifozë
Pas problemeve të javëve të fundit me tifozët e Wuppertal, Bekim Kastrati i është kthyer normalitetit. Sulmuesi kosovar ka luajtur 78 minuta kundër ekipit Elversberg dhe me t’u zëvendësuar, është duartrokitur nga tifozët e ekipit ku ai luan.
Ish sulmuesi i disa skuadrave gjermane ndihet mirë për këtë gjest të tifozëve, me të cilët i kishte prishur punët së fundmi, pas një sjelljeje të tij jo të hijshme.
“Është ndjenjë e mirë që u përcolla me një aplauz. Kur unë jam në fushë, jap gjithçka. Në javët e fundit kam punuar fort në stërvitje dhe tash kam reaguar”, deklaroi sulmuesi kosovar për ueb faqen reviersport.de.
Ish futbollisti i Borussia Monchengladbach mendon se Wuppertal nuk e meriton pozitën në të cilën gjendet në tabelë në Regionalliga West. Aktualisht, ky ekip është i shtati me 44 pikë.
“Për atë që ka treguar këtë sezon, Wuppertal nuk e meriton këtë pozitë në tabelë. Këtu ushtrojmë në mënyrë profesionale. Kemi arritur fitore të rëndësishme, por sezonin e ardhshëm nevojiten ndryshime”, vazhdoi ai.
Ish përfaqësuesi shqiptar nuk e ka përjashtuar mundësinë që të mbetet te klubi gjerman edhe sezonin e ardhshëm. Por, për këtë ai ka kërkuar kushte.
“Kontrata ime po skadon. Jam 32 vjeç. Dëshiroj ta festoj ngritjen në një kategori më të lartë garash në këtë qytet, me këta tifozë. Nëse Wuppertal do të bëjë ndryshime, unë do të jem këtu për të ndihmuar. Mirëpo, ashtu siç po shkon puna tash, ne nuk mund ta bëjmë këtë. Duhet të bëhen ndryshime”, përfundoi Kastrati, që iu bashkua Wuppertalit gjatë verës së vitit që shkoi.