E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi diskuton ligjin "Për pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar.

   Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e hënë, 15 Dhjetor 2008, ora 17.00, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:  
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 11.12.2008.
3. Miratimi i kalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 15 dhjetor 30 dhjetor 2008.
4. Projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Kombeve të Bashkuara Për arrestimin e anijeve, 1999.
5. Projektligj Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe fondit OPEC-ut për zhvillimin ndërkombëtar (OFID), për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore.
6. Projektligji Për ndihmën juridike.
7. Projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar.
8. Projektligji Për një shtesë në ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995 Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar.
9. Projektligji Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve.
10. Projektvendimi Për ringritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës, nr. 5960, datë 2.12.2008 Për kthimin e ligjit nr. 10019, datë 18.11.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.  
Për votim:
1. Projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.2.1995 Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë.
Deputëtët miratuan me shumicë votash procesverbalit të seancës plenare, datë 11.12.2008 dhe  kalendarin e  punimeve të Kuvendit për periudhën 15 dhjetor 30 dhjetor 2008.   Prej mëse 7 orësh deputetët vijuan diskutimet mbi projektligjin Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve.  Me 29 nene, ligji, ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat  politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si edhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 8 Dhjetor 1990. Ndër figurat e funksionarëve publikë përfshihen presidenti i Republikës së Shqipërisë, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarë të lartë politikë e administrative, Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët të të gjitha niveleve;Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurave (Autoriteti) me 5 anëtarë, ku dy përfaqësues janë të shumicës parlamentare de dy përfaqësues të opozitës së bashku me kryetarin e Autoritetit , zgjedhur me konsensus. Në ligj sanksionet e drejta e çdo shtetasi shqiptar për tu njohur  me të dhëna personale në lidhje me atë që përmbajnë dosjet e sigurimit të shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Kryeministri Berisha duke iu drejtuar opozitës së majtë për të votuar ligjin tha se ai është modeluar, sipas ligjit çek tërësisht demokratik, larg së qenurit më të rreptë.
Lustracioni nuk zhbëhet kurrë dhe ky vend do të kalojnë nëpër këtë proces vetëm e vetëm për tu ndarë njëherë dhe përgjithmonë nga kalvari i tij i egër". Dy vende janë pa lustracione: Serbia e Miloshevicit, e cila e votoi ligjin, por partia e Miloshevicit dhe e  Sheshelit nuk lejoi zbatimin e tij, ndaj nuk zbatohet. Vetëm një vend në Europë e shbëri procesine lustracionit. Dhe ky vend është Shqipëria. Lustracioni nuk ka qëllim hakmarrjen Ju  e çbëtë lustracionin dhe i dhatë pafajqësinë  Ramiz Alisë, i cili, kur po binte muri i Berlinit, dekretoi ekzekutimin e Avzi Nelës në Kukës dhe pushkatimin e fshatarëve të Krumës se gjoja i bënë atentat.  Ju zhbëtë lustracion, sepse ju dëmshpërblyet dhe i dhatë pafajësinë Nexhmie Hoxhës, korbës së zezë të të gjitha të zezave, që i ndodhën këtij kombi- deklaroi Kryeministri Berisha.   Kryetarja e Kuvendit në fjalimin e saj tha se ligji, do të zbatohet për Parlamentin, Presidencën, Qeverinë,  Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe për të gjitha institucionet ka votuar Parlamenti.
" Komunizmi i importuar që na eksperimentuan në jetën e prindërve tanë për pesë dekata është një plagë e hapur për sa kohë që në krye të disa institucioneve vazhdon të kemi xhelatë të këtij regjimi. Sadizmi nuk ka cak kur ata ngrenë zërin për të drejtat e njeriut ose për drejtësi. Flasin për të drejtat e njeriut ata që kanë vrarë, që kanë varur, që kanë internuar, që kanë dëbuar. Kjo qenka shkelje e të drejtave të njeriut, se nuk duhet të jesh në krye të institucioneve të shtetit të sotëm demokratik? Është shkelje e të drejtave të njeriut se nuk mund të jesh më në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe në gjykatat e tjera? Jo, jo- u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Në emër të grupit parlamentar socialist kryetarja Valentina Leskaj tha se ligji bie në kundërshtim me rezolutën e KE dhe me kushtetutën shqiptare.
Projekti, ka papajtueshmëri me të paktën 20 norma të saj.  Ai cënon dhe shkel në mënyrë flagrante garancitë kushtetuese mbi mandatet e organeve kushtetuese,  të cilat përmbajnë një numër të shteruar të rasteve të përfundimit të detyrës si për:  Presidentin, deputetët, anëtar i gjykatës Kushtetuese, anëtar i gjykatës së Lartë, anëtar i gjykatave të Faktit dhe Apelit, prokuror i Përgjithshëm, të zgjedhur vendor  etj.  Projektligji njëherësh bie ndesh me standardet dhe legjislacionin organik në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, dhe funksionimin e Prokurorisë. - u shpreh deputetja socialiste Valentina Leskaj.  Në fund të diskutimeve u vendos që votimi i ligjit Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve, të bëhet në seancën e ditës së hënë, pasi don ytë shqyrtohen dhe disa amendamente të paraqitura nga deput7 të Partise Demokratike   Në seancë u votua dhe projektvendimi Për ringritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës, nr. 5960, datë 2.12.2008 Për kthimin e ligjit nr. 10019, datë 18.11.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.   Seanca plenare i mbylli punimet në orën 01. 40  të datës 16 Dhjetor
     
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›