E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Konferenca e Kryetarëve. PD e PS të gatshme të bashkëpunojnë

Konferenca e kryetarëve e mbledhur dje pas seancës parlamentare ka vendosur t‘i hapë rrugë ndryshimeve në Kushtetutë për çështjen e imunitetit. Konferenca është njohur dje zyrtarisht me kërkesën e Këshillit të Imuniteteve dhe parimisht duke përjashtuar PSD-në, të gjithë kanë qenë dakord. Por, debati më i madh mes PD-së dhe PS-së është bërë nëse duhet të preket imuniteti i gjyqtarëve apo jo. Mazhoranca është shprehur pro tyre, ndërsa opozita kërkon që ata të mos jene pjesë e këtij ndryshimi. Në mbledhje nuk është marrë asnjë vendim, duke e lënë gjithçka të hapur për ta diskutuar. Por, pavarësisht këtyre debateve, pas mbledhjes, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar se "konferenca u shpreh pro ndryshimeve të sugjeruara një ditë më parë nga Këshilli i Legjislacionit, lidhur me kufizimin e imunitetit parlamentar". Ai ka sqaruar se u mor miratimi i të gjithë krerëve të grupeve parlamentare, ku përfaqësuesi i LSI-së kërkoi paraprakisht që të njihej me draftin, para se të jepte mendim për të, ndërkohë që PSD u shpreh kundër tyre. Ndërsa përfaqësuesja e PSD-së, në konferencën e kryetarëve, Diana Çuli, duke kundërshtuar paketën e ndryshimeve të propozuara, është shprehur kategorikisht kundër rishikimit të Kushtetutës për çështjen e imunitetit. Sipas saj, nuk është dinjitoze që Kushtetuta të ndryshojë çdo 6 muaj, sa herë e shikojnë të arsyeshme dy partitë e mëdha politike. Ndërkohë që, PS-ja, megjithëse është shprehur parimisht pro këtyre ndryshimeve, Bufi dhe Leskaj, kanë kërkuar që procesi i ndryshimeve në Kushtetutë të mos jetë i shpejtë, ashtu siç ndodhi pak muaj më parë, por të jetë një proces i shtrirë në kohë, më i gjatë, për të pasur mundësi që ndryshimi i Kushtetutës të bëhet njëherë e mirë për të gjitha çështjet që kërkohet. Dy ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin u vendos që të konkretizohej nisma për kufizimin e imunitetit. Në mbledhjen e këtij këshilli u konstatua se nismat e ndërmarra deri tani në lidhje me çështjet e imuniteteve nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar. Kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë të qartë ka shprehur vullnetin për kufizimin e imunitetit. Këshilli për legjislacionin mendon se, ky vullnet duhet të konkretizohet në miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat t‘u përgjigjen standardeve evropiane në trajtimin e çështjes së imuniteteve. Këshilli për Legjislacionin vendosi t‘u kërkojë dy anëtarëve të tij, Ylli Bufit dhe Ilir Rusmalit, që të hartojnë draft-amendamentet për kufizimin e imuniteteve. Këto amendamente më pas do t‘u jepen grupeve parlamentare për nënshkrim, për të vazhduar më tej me procedurat e Rregullores së Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës. Gjithashtu, Këshilli për Legjislacionin ka shprehur besimin se, me vullnetin e përbashkët të të gjithë grupeve parlamentare, kjo sfidë do të përfundojë me sukses.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›