Peçi: Kushtetuta nuk është leckë, që të preket vend e pa vend
"Ndryshimet në Kushtetutë nuk mund të bëhen vend e pa vend dhe në çdo kohë". Kështu është shprehur dje deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, anëtar i Komisionit të Ligjeve. Sipas tij, ky vullnet i dy partive të mëdha le të shprehet me vota në Parlament. "Mund të merret një vendim thjesht i karakterit politik që asnjëherë parlamenti nuk mund të bëhet pengesë dhe të detyrohet që t‘i hapë rrugë organit të prokurorisë që kërkojnë heqjen e imunitetit të personave të caktuar", është shprehur Peçi. Deputeti i PBDNJ-së ka propozuar që të bëhet një marrëveshje, ku të mos përfshihen në vorbullën e kufizimit të imuniteteve sistemi gjyqësor. Qëndrimit të Peçit për të mos prekur Kushtetutën, sa herë u leverdis partive të mëdha, i janë bashkuar edhe partitë e tjera parlamentare, si LSI-ja dhe PSD-ja. Për partitë politike, problemi nuk është se ata janë kundër kufizimit të imuniteteve, sipas tyre, është i frikshëm precedenti që po ndodh. Prekja e ligjit themeltar të shtetit, sa herë që shikohet e arsyeshme nga PD-ja dhe PS-ja. Ky hezitim i partive të vogla parlamentare për t‘u bërë pjesë e nismës së PD-së dhe PS-së, vjen pas rastit të fundit, ku në mënyrë brutale, sipas tyre, u ndërhy në Kushtetutë, duke ndryshuar 10 nene të saj. Ndryshim, i cili u bë pa asnjë konsultim dhe pa asnjë diskutim të thellë. Brenda pak ditëve, pa u bërë asnjë javë, PD-ja dhe PS-ja vendosën të kufizojnë kompetencat e Presidentit, të shtojnë ato të Kryeministrit, të kufizojnë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe të shkrijnë institucionin e KQZ-së nga organ kushtetues. Ky precedent duket se po ndodh sërish tani, ku PD-ja dhe PS-ja po gjejnë gjuhën e bashkëpunimit për ndryshimet në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit, megjithëse tensioni politik për çështje të tjera është mjaft i lartë mes tyre. Por kjo duket se nuk i pengon aspak ata që të ulen dhe për çështje që iu leverdis të japin konsensusin e tyre.
Për të miratuar ndryshimet në Kushtetutë, duhet 3/5 e deputetëve dhe nëse PS-ja dhe PD-ja vazhdojnë të ruajnë këtë bashkëpunim, kjo gjë do të jetë fare e lehtë, ashtu siç ndodhi disa muaj më parë. Ku, pavarësisht kundërshtimeve të LSI-së, dy partitë e mëdha arritën të miratojnë ndryshimet në gati dhjetë nene të Kushtetutës së Shqipërisë. Tashmë prekja e librit themeltar të shtetit nuk është më një tabu, ashtu siç ishte konsideruar më parë.