Mblidhet Kuvendi, pritet të miratohet dekreti për Nishanin
Bujar Nishani pritet të rimarrë sërish sot postin e ministrit të brendshëm. Deputetët do të mblidhen sot në orën 14:00 me një pikë të vetme në rendin e ditës, miratimin e dekretit të presidentit Topi duke bërë që Bujar Nishani të marrë zyrtarisht postin e ministrit të brendshëm.
Para zgjedhjeve parlamentare të 2009 Bujar Nishani ka mbajtur postin e ministrit të brendshëm, ndërsa me riformatimin e qeverisë, ai u emërua në krye të ministrisë së drejtësisë duke e marrë këtë post Lulzim Basha, i cili e mbajti deri në prag të çeljes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit.
Ministria e Brendshme është e vetmja që kryeministri Berisha ka zgjedhur të emërojë ministrin duke lënë me drejtimin në nivel zv.ministrash dy ministritë e tjera, atë të Drejtësisë dhe të Kulturës, ku mendohet se ndryshimet e tjera do bëhen pas zgjedhjeve.