Mblidhet koalicioni, Rama: Do fitojmë
Pas regjistrimit në KQZ, mblidhen drejtuesit e pesë partive politike të koalicionit të majtë, "Bashkimi për Ndryshim"
TIRANË- Vetëm një ditë pas regjistrimit të koalicionit të majtë, "Bashkimi për Ndryshim" në KQZ, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar takimin e tij të parë me krerët e koalicionit. Takimi i zhvilluar, sipas Kryetarit të PS-së, Edi Rama, është fillimi i një rrugëtimi si një bashkim i ri për ndryshim, me qëllim krijimin e një qeverie për njerëzit.
"Sot ne fillojmë një rrugëtim si një bashkim i ri i për ndryshim, përtej kufijve të partive, me të gjithë qytetarët e qytetaret që duan t'i japin vendit dhe vetes një qeveri të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit, që duan fundin e një historie përditë e më shqetësuese të një qeverie, e cila është kapur fort pas interesave të një grushti njerëzish. Sot ne jemi të bindur, përditë e më të bindur, se 28 qershori, është dita e gjykimit për këto 4 vite, që nuk mund të përsëriten dhe për t'i dhënë fund një tranzicioni të stërzgjatur, i cili në këto 4 vite arriti deformimin e tij më të skajshëm, me një qeveri që nuk u vu në dispozicion të njerëzve, por të një familjeje të vetme",- tha Rama.
Gjatë prononcimit për mediat, të pestë liderët e këtij koalicioni janë shprehur të bindur në fitoren e 28 qershorit. Edhe Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka qenë entuziast dje për takimin e zhvilluar, duke u shprehur për mediat se përmes koalicionit kërkohet ndryshimi në të mirë të qytetarëve. "Duam të garantojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, mbarë shoqërinë, mbarë vendin, se ritmet e zhvillimeve do të jenë të tilla, që do ta bëjnë Shqipërinë dhe qytetarin shqiptar përditë dhe më të denjë midis pjesëtarëve të tjerë të familjes evropiane",- tha Dule, pas takimit të zhvilluar.
Kryetari i PBDNJ-së ka theksuar se partia që ai drejton do të synojë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të fitojë 4 ose 5 deputetë. "Ka tregues objektivë që na çojnë në konkluzionin se prania jonë në Parlamentin e ardhshëm do të jetë më e madhe se kjo aktuale. Mund të jenë 4 ose 5",- tha Dule.
Edhe Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, u shpreh se me përfshirjen e PBDNJ-së në koalicion, fitorja e së majtës është e sigurt. "Diferencat midis dy grupimeve tashmë janë të theksuara, pra fitorja është në prag",- tha Skënder Gjinushi. Dy ditë më parë, koalicioni "Bashkimi për Ndryshim", i kryesuar nga Partia Socialiste, u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në përbërje të këtij koalicioni janë Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale, G99-a dhe së fundmi, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.