E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicionet, ikën Duro, vjen Gumi si ministër i Punës

Viktor Gumi dekretohet edhe nga Presidenti Topi. Në postin e zv/ministres së Drejtësisë, emërohet Paulina Hoti


TIRANË- Pas përfshirjes së PBDNJ-së në koalicionin e majtë, përfaqësuesi i kësaj partie në qeveri, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Anastas Duro, ka dhënë dorëheqjen nga posti që gëzonte prej muajit tetor të vitit 2008, për t'ju rikthyer profesionit të tij si avokat. Po aq i shpejtë ka qenë edhe vendimi i Kryeministrit, Sali Berisha, i cili në vend të Duros ka emëruar zv/ministrin aktual të Drejtësisë, Viktor Gumin, emri i të cilit dje mori edhe dekretin nga Presidenti i Republikës.


"Sot, Kryeministri Sali Berisha priti ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, i cili, duke i shprehur Kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, paraqiti dorëheqjen e tij, pas faktit se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u nda nga koalicioni qeveritar dhe kaloi në koalicionin opozitar.


Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, falënderoi Anastas Duron për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij si ministër dhe pranoi dorëheqjen e tij nga ky post. Kryeministri Berisha propozon në postin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zëvendësministrin aktual të Drejtësisë, Viktor Gumin",- tha dje zëdhënësja e qeverisë, Juela Mecani, edhe pse këtë deklaratë ishte parashikuar në fakt që ta jepte për shtypin vetë Kryeministri Sali Berisha, i cili minutat e fundit ka anuluar edhe konferencën për shtyp.


Po dje, Kryeministri Berisha ka emëruar në postin e zv/ministrit të Drejtësisë, znj. Paulina Hoti, aktualisht pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Edhe pse kanë mbetur më pak se dy muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, Kryeministri Berisha nuk është menduar gjatë për të bërë zëvendësimet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›