'Gërdeci', hetime për nxjerrje të sekretit
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar nisjen e hetimeve për "zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete" pas publikimit në media të detajeve të dosjes "Gërdeci".
Përmes një deklarate për shtyp, prokuroria ka deklarua se "Dhënia e këtyre materialeve mediave, nga personat të cilët kanë tashmë detyrimin ligjor për të mos i publikuar, jo vetëm dëmton zhvillimin e procesit të rregullt ligjor në gjykimin e kësaj çështje, por në to ka dhe akte që janë sekrete, e që përhapja e tyre përbën vepër penale".
Për këtë arsye, sipas njoftimit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal, duke filluar hetimet për veprën penale të "Zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete", parashikuar nga neni 295/a i kodit penal.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen e 15 marsit 2008 të ndodhur në Gërdec, saktësohet se është regjistruar procedimi penal dhe janë vënë nën akuzë 30 të pandehur, çështje e cila është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë. Në përfundim të hetimeve të kësaj çështjeje në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, për të realizuar një mbrojtje sa më efektive gjatë gjykimit, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre janë njohur me të gjitha aktet dhe provat e administruara në këtë procedim penal, duke marrë kopje të tyre. Dhënia e këtyre akteve është dokumentuar ligjërisht me paralajmërimin për mospublikimin e tyre.
Selmanllari: Miqësia me Shkëlzen Berishën
TIRANE- Rrahman Selmanllari dhe djali i kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, kanë një njohje të gjatë që shkon përtej 10 viteve. Këtë fakt e ka pranuar vetë Rrahman Selmanllari, i pyetur nga organi i akuzës.
Rrahman Selmanllari, një nga personat e marrë në pyetje nga Prokuroria e Përgjithshme në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana të dobishme të hetimit, ka rrëfyer për hetuesit me 16 shtator të vitit të kaluar rrethanat e njohjeve të tij me Shkëlzen Berishën, Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin e Fatmir Mediun.
Selmanllari është një nga personat që, sipas prokurorisë, ka marrë pjesë në ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, pronar i bar "Fiesta", në zonën e ish- bllokut.
Selmanllari në deklarimet e dhëna në muajin shtator, ka pranuar se njihet me djalin e kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishën, të cilin e njeh prej një viti. Por në lidhje me njohjen e tij me Patrik Henrin, apo me persona të tjerë që kanë pasur lidhje me demontimin në Gërdec.
Ndërkaq vetëm një vit më parë, nipi i tij shofer i ambasadës tonë në Romë, u kap nga policia italiane me një sasi prej 1 kg kokainë në automjetin e
ambasadës tonë në Itali.
Në lidhje me takimet e tij me Pinarin ai tregon se e ka takuar në kazinonë që ndodhet në qendër të Tiranës, në kompleksin "Taivan", pranë parkut "Rinia".
Unë jam pronari i vetëm i një lokali në vendin e quajtur "Ish Blloku", pranë librit univeristar. Lokali quhet "Fiesta".
Gjithashtu jam aksioner në firmën e ndërtimit "Xheker", me administrator shtetasin Fatmir Allmuça. Unë në këtë shoqëri ndërtimi kam futur një shumë prej 500 mijë eurosh të cilat i kam marrë me kredi në banken "Credins", për të cilën kam lënë peng shtëpine dhe lokalin tim të sipër përmendur.
Përveç këtyre aktiviteteve nuk kam asnjë detyrim ndaj të tretëve dhe as këta të fundit nuk kanë detyrime ndaj meje.
Pyetje A njiheni me shtetasin Patrick Henry ? Nëse po, në ç' rrethana ?
Përgjigje: Ky emër nuk më kujtohet dhe nuk besoj se e njoh. Gjithashtu nuk di gjuhë të huaj dhe është shumë e rrallë të kem marrëdhënie me të huaj, përveç rasteve që mund të takohem me persona të tjerë (të tretë).
Pyetje:A jeni takuar me shtetasin Patrick Henry III, në prezencë të personave të tretë ?
Përgjigje: Unë nuk e njoh këtë person pra, Patrick Henry dhe nuk besoj se e kam takuar këtë shtetas, qoftë edhe në prezencë, apo të jenë iniciatore persona të tjerë. Dua te sqaroj se lokali im frekuentohet nga shumë të huaj të cilët vijnë dhe më takojnë vazhdimisht por takimet janë spontane dhe mund të shkëmbejmë qerasje apo salutime të ndryshme.
Pyetje:A njihesh me shtetasin Mihal Delijorgji? Nëse po ne ç' rrethana?
Përgjigje: Unë e njoh Mihal Delijorgjin dhe nuk kam asnjë miqësi të afërt me të. Unë e kam takuar disa herë në veçanti tek lokali, ruleti ose tek lokalet që janë ngjitur në lokalin tim që janë "Eurolloto" dhe tek "Juna". E di që Mihal Delijorgji merrej me biznese, por konkretisht se çfarë lloj biznesi nuk e dija dhe s'kam ndonjë informacion. Këtë person unë kam një periudhë kohore rreth shtatë ose tetë vjet që e njoh.
Pyetje:A ke pasur në ndonjë rast marrëdhënie biznesi me shtetasin Mihal Delijorgji?
Nëse po, mund të na thoni detaje lidhur me këtë marrëdhenie?
Përgjigje: Nuk kam pasur në asnjë rast marrëdhënie biznesi me këtë shtetas.
Pyetje:A njiheni me shtetasin Ylli Pinari ?
Përgjigje: E njoh këtë shtetas pasi është me origjinë nga Tirana. Gjithashtu njoh edhe djalin e Yllit, i cili ka qenë nxënës në gjimnazin "Sami Frashëri". Dua të shtoj se salutime me biseda të shkurtëra me Yllin mund të kemi shkëmbyer tek "Rexhensi Kazino", që ndodhet tek lokali "Taivan", tek parku "Rinia". Nuk e dija se me çfarë biznesi merrej.
Pyetje: A keni pasur kontakte ose njohje me ish- ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ose me persona të tjerë funksionarë të lartë të kësaj ministrie, qofshin këto struktura civile ose ushtarake ?
Përgjigje: Unë nuk kam pasur dhe nuk kam njohje me ish- ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe nuk kam pasur kontakte me të.
Gjithashtu nuk kam pasur kontakte ose marrëdhënie me funksionare të Ministrisë së Mbrojtjes, qofshin këto struktura civile apo ushtarake. Vlen të deklaroj se në asnjë rast nuk kam vizituar Ministrinë e Mbrojtjes apo reparte ushtarake, përfshi këtu edhe Gërdecin.
Pyetje: A e njihni ish- Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar Gjeneral Shpëtim Spahiu? Nëse e njihni shpjegoni rrethanat dhe a jeni takuar në ndonjë rast me të?
Përgjigje: Nuk e njoh ish- Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar Gjeneral Shpetim Spahiu dhe nuk mbaj mend të kem pasur kontakte me të.
Pyetje: A jeni angazhuar në ndërtimin e Fabrikës së demontim çmilitarizim municioneve në Gerdec për shoqërinë "Albademil" sh.p.k, me administrator Mihal Delijorgji, apo të keni ndërmjetësuar për marrjen e ambienteve të ish- repartit ushtarak me qera?
Përgjigje: Nuk jam angazhuar në ndërtimin e Fabrikës së Demontim çmilitarizim municionesh në Gërdec, për shoqërine "Albademil" sh.p.k me administrator Mihal Delijorgji. Gjithashtu nuk kam ndërmjetësuar me komandantët e repartit apo strukturat më të larta qoftë të ushtrisë edhe civilë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Pyetje: A keni dijeni për aktivitetin e Demontim Cmilitarizim Municioneve në Gërdec dhe nëse po, a keni pasur ndonjë familjar, lidhje gjaku apo person të njohur të punësuar në këtë aktivitet në Gërdec?
Përgjigje: Nuk kam pasur informacion per këtë lloj aktiviteti në Gërdec dhe as kam ndonjë informacion që të afërm të mië të kenë qenë të punësuar në Gërdec. Gjithashtu askush nga familja ime nuk ka qenë i punësuar në këtë lloj aktiviteti.
Pyetje:A e njihni shtetasin Dritan Minxolli, nëse po në ç rrethana?
Përgjigje: Ky emër nuk më kujtohet dhe nuk më thotë gjë për memorjen time.
Pyetje: A njiheni me shtetasit amerikanë Efraim Diveroli, Aleksander Podrizki shtetasit nga Bosnje Hercegovina Dejan Djuric dhe Adnan Sarjlic e nëse po, ne ç' rrethana jeni takuar me njëri- tjetrin dhe a keni pasur marrëdhënie biznesi me ta?
Përgjigje: Nuk i njoh fare personat emrat e të cilëve më përmendet. Aq më tepër nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me ta.
Pyetje:A keni qenë në ndonjë rast në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, Qipro, Mal i Zi, Bosnje Hercegovinë, Zvicer ?
Përgjigje: Nga shtetet që më përmendet kam vizituar vetëm Malin e Zi së bashku me familjen time. Kohën dhe datën e saktë nuk e mbaj mend.
Pyetje: Nisur nga fakti që keni njohje me shtetasit Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji, a ka ndodhur në ndonjë rast që takoheni të tre në ndonjë aparatment dhe në prezencë të personave të huaj?
Përgjigje: Në asnjë lloj rrethane nuk jam takuar në ndonjë apartament me dy personat e përmendur pra, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji, si dhe në prezencë të personave të tjerë, qofshin këta të huaj apo shqiptarë.
Pyetje: A keni nënshkruar ndonjë dokument që ka lidhje me aktivitetin që do të zhvillohej në Gërdec për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve? Nëse po ne ç' rrethana, per ç' arsye dhe cili do të ishte kontributi yt në këtë aktivitet ?
Përgjigje: Nuk disponoj asnjë dokument që të kem nënshkruar lidhur me aktivitetin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve në Gërdec dhe gjithashtu, nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga ky aktivitet për të cilin jam vënë në dijeni vetëm pasi ka ndodhur shpërthimi në muajin Mars 2008.
Pyetje:A njiheni me shtetasin Shkëlzen Berisha, nëse po në ç' rrethana?
Përgjigje: Unë njoh shtetasin Shkëlzen Berisha. Kemi lidhje shoqërore prej më tepër se dhjetë vjet. Kur është në Shqipëri takohemi me njëri tjetrin shpesh.
Pyetje: Meqenëse ju njiheni me Shkëlzen Berishën, a keni dijeni nëse ai njihet me shtetasit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe nëse po, a ke qenë në ndonjë rast i pranishëm në kontaktet midis tyre?
Përgjigje: Nuk kam dijeni nëse njihen me njëri-tjetrin dhe nuk kam qenë i pranishëm në ndonjë rast që mund të kenë kontaktuar. Gjithashtu në asnjë rast nuk kam dëgjuar që të përmenden nga Shkëlzeni emrat e sipërpërmendur. Unë e di se Shkëlzeni është me profesionin e juristit dhe punon si avokat në një studjo ligjore që ka motra e vet.
Pyetje:Keni dijeni nëse qoftë dhe për shkak të profesionit si avokat Shkëlzeni të jetë angazhuar për përfaqësimin Iigjor të Mihal Delijorgjit?
Përgjigje: Nuk kam dijeni dhe nuk është përmendur në asnjë rast shtetasi Mihal Delijorgji nga Shkëlzeni.
Pyetje:A keni ndonjë Ilogari bankare në emrin Tuaj në Republikën e Shqipërisë apo në shtete te tjera?
Përgjigje: Nuk kam asnjë llogari bankare në emrin tim apo të families sime si në Shqiperi edhe në shtete të tjera. Dua të saktesoj se bashkëshortja ime mundet të ketë llogari bankare të çelur për efekt të marrjes së pagës së saj.
Gjithashtu shtoj se si shoqëri ndërtimi kemi llogari bankare me të cilën merret financieri dhe administratori. Shuma e parave në këtë llogari shtohet dhe ulet në varesi të shitblerjeve që bën firma për apartamentet.
Nuk di të jenë bërë transaksione internacionale nëpërmjet kësaj llogarie. Nuk kam më tjetër gjë për të shtuar, procesverbalin pasi e lexoj e firmos pa vërejtje. Seanca e pyetjes u mbyll në ora 19:00.
Arsen Selmanllari u kap nga policia e Milanos me mjetin e ambasadës tonë në Romë
Një vit më parë, nipi Selmanllarit u kap me 1 kg kokainë
MILANO- Arsen Selmanllari, shofer i ambasadës tonë në Itali, u arrestua nga policia e Milanos me 25 gusht të vitit të kaluar, kur ai po udhëtonte me mjetin, bashkë me një grua tjetër gjithashtu edhe ajo Shqiptare.
Gjatë kontrollit të policisë italiane, në një segment rrugor në zonën e quajtur Lambarte, shoferi është kapur nga një grup i policisë italiane i antikrimit të organizuar. Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti dhe bllokoi sasinë prej një kilogramë kokaine.
Menjëherë pas bllokimit të kokainës, policia italiane arrestoi në flagrancë shoferin e ambasadës tonë në Romë, Arsen Selmanllarin, bashkë me shoqëruesen e tij. Përpara se të kryhej arrestimi i tij, policia italiane kishte marrë konfirmimin nga autoritetet shqiptare për heqjen e imunitetit diplomatik shoferit të ambasadës shqiptare në Itali.
Sipas polcisë italiane sendi në të cilin ishte fshehur kokaina ishte futur në kroskotin e autoveturës në pronësi të shtetit shqiptar dhe që ishte i pajisur me targa diplomatike. Sipas një deklarate të dhënë nga ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, pas arrestimit të Selmanllarit, ky i fundit kishte së paku dy vite që ishte punësuar si shofer në ambasadën tonë në Itali.
Sipas lajmeve të atëhershme të mediave, kontrolli ndaj makinës me targa diplomatike nuk është bërë, deri në momentin që policia italiane ka marrë dritën jeshile nga Ambasada Shqiptare në Romë.
"Gjatë ndalimit dhe lejes për t'i kontrolluar në makinë, shoferi Arsen Selmanllari ka replikuar me oficerët e policisë duke iu treguar atyre dokumentin e lëshuar nga Ministria e Jashtme Italiane, që e ndalon policinë të kontrollojëpersonat me imunitet diplomatik".
Edhe për punësimin e tij në ambasadën shqiptare në Itali, nuk mund të ketë mbetur pas xhaxhai i tij, Selmanllari, nëpërmjet lidhjeve të tij, miqësisë së tij me familjen e kryeministrit Sali Berisha.