E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në qeveri, sot mblidhet Kuvendi

Sot pritet të shqyrtohet edhe raporti i komisionit hetimor ndaj kryebashkiakut Edi Rama.

TIRANË- Raporti i komisionit hetimor ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i hartuar vetëm me anëtarët e PD-së, si dhe ndryshimet e fundit në qeverisje, pritet që të kalojnë sot për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Sot, në orën 18.00 të pasdites, Kuvendi do të hapë sërish dyert për të miratuar gjithashtu edhe disa nga çështjet që nuk u kaluan seancën e fundit parlamentare, si rezultat i mungesës së kuorumit.


Komisioni hetimor parlamentar ndaj veprimtarisë së Kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, e ka gati raportin, në përmbajtje të të cilit kërkohet që Kuvendi të anulojë 59 lejet ndërtimi të dhëna nga KRT-ja e Tiranës, edhe pse një gjë e tillë në fakt nuk është e parashikuar në ligj. Kryetari i komisionit hetimor parlamentar, Ferdinand Xhaferri, deklaroi dje se do të ndiqet rruga ligjore për të pezulluar vlefshmërinë e këtyre lejeve.


"Komisioni hetimor do t'i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që këto leje ndërtimi të anulohen. Ne si komision hetimor kemi bindjen se atje ku institucioni paralizohet nga korrupsioni, atje ku individi vihet krejtësisht në shërbim të interesave të korrupsionit, atje Kuvendi i Shqipërisë, atje sovrani duhet të ndërhyjë", - tha dje Xhaferri.


Sipas tij, Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ka dhënë për dy anëtarë të KRT-së në pesë mbledhjet e fundit të saj, 59 leje ndërtimi. Por, përpos pretendimit të demokratëve, opozita nga ana tjetër nuk e ka njohur ngritjen e këtij komisioni, po aq edhe Bashkia e Tiranës, zyra juridike e së cilës ka depozituar tashmë në Gjykatën Kushtetuese një ankesë për antikushtetueshmërinë e saj. Po sot, Kuvendi pritet të miratojë edhe dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Viktor Gumit në postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›