E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet në PBDNJ, Ksera jep dorëheqjen

Sipas Kserës, nuk është marrë në konsideratë vendimi i OMONIA-s për të dalë e vetme në zgjedhje


GJIROKASTËR- Vendimi i fundit i PBDNJ-së për të lidhur koalicion me Partinë Socialiste, ka sjellë edhe dorëheqjen e Spiro Kserës nga drejtimi i organizatës së OMONIA-s për Qarkun e Gjirokastrës, i cili aktualisht është edhe prefekti i këtij qarku. Spiro Ksera, i konfirmuar dy javë më parë si kandidati kryesor i PBDNJ-së dhe organizatës OMONIA në Qarkun e Gjirokastrës, ka dhënë dorëheqjen, ndërsa pritet një lëvizje e tij drejt koalicionit të djathtë.


Ende pa kaluar 24 orë nga vendimi politik i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut për të qenë pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, drejtuesi i degës aktuale të kësaj force politike dhe organizatës OMONIA në Gjirokastër, Spiro Ksera, ka vendosur të mos jetë më kandidat nën këto sigla.


Vendimi është marrë pas një takimi urgjent, me dyer të mbyllura, i organizuar pasditen e djeshme në fshatin Dervician, me drejtues të pushtetit vendor në zonën minoritare dhe drejtuesve të strukturave të organizatës OMONIA, që ka zgjatur më shumë se dy orë. Sipas Kserës, anëtarët e minoritetit grek kanë shprehur kundërshtinë e hapur ndaj këtij vendimi, të cilin e ka cilësuar absurd.


"Të gjithë anëtarët e thjeshtë dhe strukturat e organizatës OMONIA janë të pakënaqur nga vendimi i PBDNJ-së. Kërkonin me insistim që vendimi i Komitetit Drejtues të OMONIA-s, për kandidimin tim të merrej parasysh nga partia dhe shoh që ka një tendencë për të shmangur kandidaturën time.


Nuk është marrë në konsideratë vendimi unanim i OMONIA-s, që kjo forcë politike të dilte e vetme në zgjedhjet parlamentare. Në këto kushte, unë i sugjeroj Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të gjejë një tjetër kandidat. Unë isha i mendimit që koalicioni aktual të mos prishej, por vendimi politik i liderit Dule do të analizohet në datën 29 qershor",- është shprehur Ksera.


Pavarësisht dorëheqjes nga kandidatura, ai ka mohuar largimin nga të qenët anëtar dhe drejtues lokal i PBDNJ-së, por në të njëjtën kohë, ai nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e kandidimit për deputet në koalicionin e djathtë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›