Mblidhet kuvendi i republikanëve, Romni duhet të provojë se është një konservator i vërtetë

Ngjarja kryesore e këtij kuvendi është emërimi zyrtar i Mit Romnit si kandidat presidencial i Partisë Republikane. Kjo do të ndodhë të martën në mbrëmje. Delegatët po ashtu do të pajtohen zyrtarisht për platformën e Partisë Republikane. Ajo është jodetyruese dhe paraqet qëndrimin e partisë mbi çdo gjë.
Kandidati presidencial republikan Mitt Romney ka një sfidë të komplikuar në kuvendin kombëtar të partisë së tij për emërim në Tampa, Florida, këtë javë. Z.Romney duhet të kapërcejë dyshimet në mesin e disa republikanëve se ai është vërtetë konservator dhe në të njëjtën kohë të gjejë një mënyrë për të tërhequr votuesit e pavendosur të moderuar për zgjedhjen në nëntor. Mitt Romney fitoi emërimin republikan përmes procesit të gjatë të zgjedhjeve paraprake. Por ai vazhdimisht ka pasur probleme për të fituar përkrahjen e aktivistëve konservatorë brenda partisë së tij. Disa nga ish-rivalët e z. Romney janë mbledhur rreth tij këtë javë në Tampa në përpjekje për të qetësuar dhe për të bashkuar konservatorët e Partisë Republikane. Herman Kaini, ish-rival, mbetet shumë popullor mes konservatorëve. Ai i tha Zërit të Amerikës se është duke punuar për të tërhequr konservatorët për rreth kandidatëve Romney- Ryan. Zgjedhja e Paul Ryanit si kandidat për nënpresident kënaqi shumë konservatorë në parti, duke përfshirë një tjetër ish-rival, Michele Bachmann nga Minesota. "Unë e njoh Paul Ryan dhe kam punuar me atë për gjashtë vite. Jam shumë e sigurt në lidhje me dyshen Romney – Ryan”. Z. Romney ka fituar përkrahjen e konservatorëve të politikës së jashtme, si ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton. "Unë mendoj se ajo që kemi nevojë është një kthim në politikën e jashtme të paqes përmes fuqisë, politikë që ish-presidenti Reagan ndoqi. Mendoj se kjo është ajo që guvernatori Romney ka theksuar dhe që do t’a dëgjojmë të artikuluar këtu në kuvend". Analisti Norman Ornstein thotë se fjalimi i z. Romney për pranimin e kandidaturës - fjalim që pritet ta mbajë të enjten - do të jetë një moment kritik në fushatë. "Romney do të jetë në gjendje të ketë një trampolinë për fushatën e tij dhe kornizë rreth idesë se ai do të qeverisë në mënyrë efektive, ndryshe nga presidenti Obama”. Një tjetër analist, Jeff Greenfield, thotë se z. Romney duhet të bëjë më shumë se sa thjesht të kritikojë të dhënat ekonomike të presidentit Obama. Analisti Greenfield thotë se z. Romney duhet t’u ofrojë votuesve specifikat se si ai do të nxisë rritjen ekonomike dhe vendet e punës. Por një gjë duket qartë në Tampa, se republikanët janë të bashkuar në qëllimin e tyre për t’u përpjekur t’i mohojnë Presidenti Obama një mandat të dytë.
Sa herë është mbajtur Konventa?
Çdo katër vjet, në përputhje me kalendarin e zgjedhjeve presidenciale. Qyteti nikoqir është çdo herë i ndryshëm dhe zgjidhet shumë kohë përpara.
Kush e ndjek Konventën?
Rreth 5,000 delegatë të partive kombëtare dhe zëvendës, të cilët përfaqësojnë secilin shtet. Tre herë më shumë gazetarë e mbulojnë ngjarjen, e cila ndiqet edhe nga mijëra anëtarë republikanë të Kongresit, guvernatorë, ligjvënës shtetërorë dhe donatorë të partive. Në një llogaritje më të thjeshtë, numri i pjesëmarrësve këtë vit do të jetë rreth 50,000.
Çfarë ndodh në Konventë?
Ngjarja kryesore është emërimi zyrtar i Mit Romnit si kandidat presidencial i Partisë Republikane. Kjo do të ndodhë të martën në mbrëmje. Delegatët po ashtu do të pajtohen zyrtarisht për platformën e Partisë Republikane. Ajo është jodetyruese dhe paraqet qëndrimin e partisë mbi çdo gjë.
Gjatë tre netëve, republikanë të famshëm dhe jo aq të famshëm do të dalin në skenë për të lavdëruar aftësitë e Romnit si biznesmen dhe lider, për t’iu bërë jehonë cilësive të tij si familjar dhe besimtar i devotshëm dhe, mbi të gjitha, asaj se si do të jetë një president i mrekullueshëm. Ata po ashtu do të kritikojnë Obamën dhe do ta fajësojnë për çdo gjë të keqe në Amerikë – atë dhe Partinë Demokratike.
Kur do ta bëjë Romni fjalimin për pranim?
Të enjten në mbrëmje. Udhëheqësit e Partisë Republikane thonë se fjalimi i tij, para një audience televizive kombëtare, do të jetë “riparaqitje” e tij në mesin e votuesve amerikanë dhe do të fshijë imazhet negative, që fushata e Obamës ka bërë përpjekje t’i krijojë për të.
Kush tjetër do të flasë?
Shumë politikanë dhe kandidatë të shquar të Partisë Republikane. Kandidati i Romnit për nënpresident, Pol Rajan, do të mbajë fjalimin të mërkurën në orën 22:00 – sipas kohës lokale. Të tjerë para mikrofonit do të jenë disa nga sfiduesit e deritashëm të Romnit, si Njut Gingriç dhe Rik Santorum. Disa olimpikë amerikanë do të shfaqen po ashtu për t’i kujtuar popullit se Romni ka organizuar Lojërat Olimpike Dimërore në Ljejk Siti, më 2002. Interesante është se as ish-presidenti Xhorxh Bush dhe as babai i tij, po ashtu ish-president, nuk do të flasin në Konventë. Kjo është një largim nga tradita, e cila rishfaq ish-presidentët duke i dhënë mbështetje kandidatit të caktuar. Edhe Bushi i ri, edhe i vjetri kanë miratuar Romnin muaj më parë, por, megjithatë, ka kohë që nuk janë dëgjuar.
Është publiku i interesuar për këtë? Sa njerëz ndjekin aktualisht konventat përmes kanaleve televizive?
Jo aq shumë si më parë. Këtë vit, tre rrjetet kryesore kanë shkurtuar sasinë e kohës për të transmetuar drejtpërdrejt të dyja konventat. Secila parti do të ketë një orë në natë nga mbulesa kombëtare. Në vitin 2008, rreth 40 milionë njerëz kanë ndjekur Xhon Mekkejnin kur ka pranuar emërimin nga Partia Republikane. Rreth 1.5 milion më pak kanë ndjekur Obamën kur ka bërë të njëjtën gjë nga Partia Demokratike.
Çfarë ndodh pas Konventës?
Me nominimin zyrtar të Romnit, Partia Republikane lëshon më shumë se 100 milionë dollarë për fushatën e tij. Gazetarët që mbulojnë ngjarjen do të udhëtojnë rreth 800 kilometra në bregun lindor të Karolinës Veriore, ku, tre ditë më vonë, do të nisë Konventa e Partisë Demokratike.