Mblidhet sot komisioni hetimor për shkarkimin e Spahiut

Pas miratimit në Kuvend, mblidhet sot komisioni hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu. Komisioni i kryesuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj dhe i përbërë nga anëtarët Ramiz Çoba, Paulina Hoti, Gerti Bogdani dhe Ledina Aliolli do të hetojë veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së Spahiu. Ndërkohë që katër anëtarët që i takojnë opozitës nuk janë propozuar nga kjo e fundit. Partia Socialiste ka deklaruar më parë që nuk do të jetë pjesë e komisionit hetimor, të cilin e quan një çështje vetëm të maxhorancës.
Pavarësisht votimit kundër të opozitës, Parlamenti me 72 vota të mazhorancës dhe një të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule votoi disa ditë më parë ngritjen e komisionit që do të drejtohet nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj. Para se të kalonte në votim ngritja e këtij komisioni, Kreshnik Spahiu është drejtuar më një letër Kuvendit për tu dëgjuar në seancë. Për këtë çështje ka ardhur përgjigjia e menjëhershme e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, ku thotë se në bazë të rregullores zëvendës kryetari i KLD-së nuk mund të flasë në seancë plenare.
Maxhoranca në kërkesën e saj argumenton se Spahiu ka shkelur ligjet, duke cënuar dinjitetin e institucionit që ai drejton, ndaj dhe nevojitet një komision hetimor. Ndërkohë sipas projektvendimit, komisioni hetimor do të zhvillojë punimet e tij brenda një afati 3- javor nga momenti i miratimit.